KIEV – Zelensky: Mbështetja e Orban për Rusinë, gabim historik

BUDAPEST, 10 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka përshkruar politikat dhe mesazhet anti-Ukrainë të kryeministrit populist të krahut të djathtë hungarez, Viktor Orban si një “gabim historik”.
Në një intervistë me median hungareze, “Válasz Online” – Zelensky akuzoi Orban se po përdor propagandën kundër Ukrainës për të kërkuar një avantazh politik të brendshëm.
“Orban po e përdor Ukrainën për qëllimet e tij elektorale”, tha presidenti ukrainas.
“Ai nuk e kupton se kjo do të ketë pasoja shumë më serioze dhe të rrezikshme. Duke mos na ndihmuar, ai po i bën një nder presidentit rus, Vladimir Putin. Kjo është arsyeja pse thashë se Viktor po bën një gabim serioz historik”, tha Zelensky.
Për javë të tëra, qeveria e Orban ka zhvilluar një fushatë kundër ndihmës për Ukrainën dhe kundërshtimit të pranimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Mesazhi kryesor i fushatës është se ndihma për Ukrainën do ta fuste Hungarinë në luftë dhe do të dëmtonte ekonominë.
Zelensky kujtoi gjithashtu se në fillim të majit të këtij viti, Shërbimi i Sigurisë Ukrainase (SBU) arrestoi dy ukrainas me etni hungareze – të cilët dyshohen se spiunonin për shërbimin e inteligjencës ushtarake hungareze KNBSZ.
Ai tha se ishin gjetur prova të tjera që ende nuk ishin bërë publike.
Në përgjigje, Hungaria arrestoi një spiun që dyshohet se punonte për Ukrainën, i cili është gjithashtu i afërt me udhëheqësin e opozitës hungareze, Peter Magyar.
Hungaria – një shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s – ka planifikuar të mbajë zgjedhjet parlamentare në fillim të vitit 2026.
Orban, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2010, është nën presion pasi partia e re konservatore “Tisza” e Hungarisë është shumë përpara në sondazhe. //a.i/