BRUKSEL – Von der Leyen mbron marrëveshjen e tarifave të BE-së me Trump përballë kritikave

BRUKSEL, 24 gusht /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbrojtur paktin mbi tarifat e arritura midis Bashkimit Evropian dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Marrëveshja përfaqëson një vendim të vetëdijshëm: stabilitet dhe parashikueshmëri në vend të përshkallëzimit dhe konfrontimit”, tha Von der Leyen në një artikull për të përditshmen kombëtare gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
“Imagjinoni për një moment nëse dy ekonomitë më të mëdha të botës demokratike nuk do të kishin arritur një marrëveshje dhe do të kishin nisur një luftë tregtare. Kjo do të ishte festuar vetëm në Moskë dhe Pekin”, tha Von der Leyen.
Duke iu referuar tavanit të tarifave amerikane prej 15%, Von der Leyen shkruan se ata kishin arritur një marrëveshje të mirë.
“Me tarifa reciproke nga ana jonë, ne do të rrezikonim të ndiznim një luftë tregtare të kushtueshme me pasoja negative për punonjësit tanë, konsumatorët dhe industrinë tonë”, tha ajo.
Taktikat negociuese të Komisionit Evropian janë kritikuar për shkak se i ka ofruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës kushte më të mira se ato që zbatohen për kompanitë e BE-së.
BE-ja e pranoi marrëveshjen përballë kërcënimit të vendosjes së tarifave prej 30% nga SHBA-ja – që nga 1 gushti, të cilat mund të kishin shkaktuar një luftë tregtare.
Ekzistonin gjithashtu shqetësime se Trump mund të bënte kërcënime të reja në rast të një konflikti. //a.i/