BRUKSEL – Von der Leyen ngre akuza për spiunazh kundër Hungarisë

BRUKSEL, 13 tetor /ATSH-DPA/- Komisioneri hungarez i BE-së, Oliver Varhelyi ka mohuar çdo përfshirje në një aferë të dyshuar spiunazhi gjatë një takimi dje me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha sot një zëdhënëse e Komisionit Evropian.
“Von der Leyen u takua dje me Varhelyi dhe e pyeti nëse ishte në dijeni të përpjekjeve të shërbimeve të inteligjencës hungareze për të rekrutuar stafin e Komisionit Evropian”, u tha zëdhënësja e saj gazetarëve në Bruksel.
Varhelyi, i cili mban postin e komisionerit të BE-së për Shëndetin dhe Mirëqenien e Kafshëve, tha se nuk ishte në dijeni të përpjekjeve të tilla.
Sipas raporteve të revistës gjermane “Der Spiegel”, gazetës së përditshme belge “De Tijd” dhe medias hetimore hungareze “Direkt36”, qeveria hungareze e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orban kishte caktuar agjentë të shërbimit sekret në institucionet e BE-së.
Midis viteve 2015 dhe 2017, tre spiunë dyshohet se u përpoqën të rekrutonin punonjës të Komisionit Evropian ose të merrnin informacione prej tyre.
Njëri prej tyre thuhet se ka punuar i maskuar si diplomat për ambasadorin e atëhershëm hungarez në BE, Varhelyi.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian njoftoi se po i merrte shumë seriozisht akuzat dhe do të ngrinte një grup të brendshëm për të hetuar çështjen. //a.i/