MEKSIKË – Të paktën 64 të vdekur pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut

MEKSIKO SITI, 13 tetor /ATSH-DPA/- Stuhitë e forta kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në të gjithë Meksikën, ku janë raportuar të paktën 64 të vdekur dhe 65 të zhdukur për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut, thanë sot autoritetet.
Rreth 260 qytete, veçanërisht në rajonet malore, mbetën të izoluara nga bota e jashtme.
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum u përball me vendasit protestues gjatë një vizite në qytetin e përmbytur gjerësisht të Poza Rica, në shtetin lindor të Veracruz.
Zonat më të goditura janë në shtetet lindore dhe qendrore të Veracruz, Hidalgo, Puebla, Querétaro dhe San Luis Potosí. Dhjetëra mijëra shtëpi, klinika, shkolla, rrugë dhe ura janë dëmtuar.
Shumica e viktimave deri më tani janë raportuar në Veracruz dhe Hidalgo, ndërsa vdekjet janë konfirmuar gjithashtu në Puebla dhe Querétaro.
Meksika është në fund të sezonit të saj vjetor të shirave, i cili zgjat rreth gjashtë muaj dhe zakonisht përfundon në fillim të nëntorit.
Reshjet e dendura të shiut, gjatë ditëve të fundit janë pjesërisht për shkak të cikloneve tropikale “Priscilla” dhe “Raymond” në Paqësor, si dhe fenomeneve të motit në Gjirin e Meksikës.
Sipas shërbimit meteorologjik meksikan, priten reshje të mëtejshme në ditët në vijim. //a.i/