BSH: Norma bazë e interesit për lekun mbetet në nivelin 2,5%

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën që ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin 2,5%.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën e sotme për shtyp tha se Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe mbajtjen e inflacionit në kontroll. Ai vuri në dukje se konsumi i brendshëm, investimet dhe turizmi po mbështesin rritjen e ekonomisë.
Bazuar në këtë konstatim, sipas tij, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1,5%; dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3,5%”.
Sejko deklaroi se, informacioni i marrë në analizë sugjeron vijimin e trendeve pozitive të zhvillimit, si në aspektin ekonomik (punësim, paga) ndërsa inflacioni ka qëndruar në nivele të ulëta dhe të qëndrueshme.
Në aspektin financiar, vijoi ai, falë dhe politikës të kujdesshme monetare, kushtet e financimit mbeten akomoduese, ndërsa kreditimi i sektorit privat vijon të zgjerohet më tej.
Sipas tij, perspektiva e zhvillimit ekonomik në të ardhmen mbetet pozitive, e pasqyruar në parashikime që sugjerojnë rritje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik dhe kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2026.
“Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, deklaroi Sejko. /j.p/