BRUKSEL – BE-ja kërkon përdorimin e aseteve të ngrira ruse për hua ndaj Ukrainës

KOPENHAGË, 1 tetor /ATSH-DPA/ – Zyrtarë të Bashkimit Evropian i bënë thirrje sot kryeqyteteve të vendeve anëtare që të mbështesin një nismë për t’i dhënë Ukrainës miliarda euro në formë huash për riparime, të garantuara nga asetet e ngrira ruse në bllok.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, kanë propozuar përdorimin e fondeve të ngrira të bankës qendrore ruse për t’i siguruar Ukrainës hua shtesë deri në 140 miliardë euro.
“Ne nuk po konfiskojmë asetet”, theksoi von der Leyen, teksa mbërriti në samitin e BE-së në Kopenhagë, ku po diskutohet nisma.
“Ukraina do ta kthejë këtë hua nëse Rusia paguan dëmet e luftës”, shtoi ajo.
Sipas Komisionit Evropian, rret 200 miliardë euro në asete të Bankës Qendrore të Rusisë janë ngrirë në BE pas pushtimit rus të Ukrainës. Pjesa më e madhe e tyre mbahet nga depozituesi i sigurisë me qendër në Bruksel, “Euroclear”.
“Po rritet konsensusi mes nesh që nuk duhet të jenë vetëm taksapaguesit europianë ata që paguajnë për mbështetjen ndaj Ukrainës, por edhe Rusia duhet të mbahet përgjegjëse”, tha von der Leyen.
“Parimi bazë i së drejtës ndërkombëtare është që duhet të mbulosh dëmet që ke shkaktua”, deklaroi shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, duke iu përgjigjur shqetësimeve ligjore të ngritura nga disa shtete anëtare. Të tjerë shprehën frikë për pasojat që një veprim i tillë mund të ketë mbi tregjet financiare europiane.
“Nëse nuk nis luftë kundër një shteti tjetër, atëherë nuk ke pse shqetësohesh”, tha Kallas.
“Mendoj se shumica e vendeve, njerëzve dhe kompanive në botë nuk do të nisin luftëra kundër shteteve të tjera”. /Ad.Ab./