E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Angazhim i fortë i Kuvendit për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të negociatave me BE

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian dhe bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Taulant Balla, priti sot në mjediset e Kuvendit përfaqësues të parlamenteve të Ukrainës, Moldavisë dhe Armenisë, në kuadër të një vizite studimore me temë “Procesi ligjvënës i bazuar në prova”.

Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi rëndësinë historike të procesit të negociatave dhe rolin vendimtar të Kuvendit në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Ai theksoi se procesi i integrimit ka një peshë historike dhe se Parlamenti luan një rol thelbësor në çdo fazë të tij.

Sipas tij, çdo hap i negociatave kalon në mënyrë të detyrueshme përmes Kuvendit, nga pozicionet negociuese deri te mbyllja e kapitujve.

“I gjithë procesi negociues kalon përmes Parlamentit. Çdo pozicion negociues duhet të miratohet nga Kuvendi dhe po ashtu edhe mbyllja e kapitujve”, theksoi ai.

Balla u ndal edhe te ndryshimet institucionale të ndërmarra së fundmi, duke vënë në dukje forcimin e rolit të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian dhe bashkimin e komisioneve parlamentare.

“Me ndryshimet që kemi bërë, kemi forcuar Këshillin dhe kemi siguruar që opozita të jetë pjesë e drejtimit të tij. Po ashtu, kemi bashkuar Komisionin për Çështjet Evropiane me atë të Politikës së Jashtme”, deklaroi Balla.

Ai nënvizoi se për Shqipërinë, politika e jashtme dhe integrimi evropian janë të pandashme.

“Për ne, politika e jashtme e Shqipërisë është e fokusuar tërësisht në integrimin evropian”, tha ai, duke shtuar se vendi ynë synon të luajë një rol aktiv edhe në arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.

Balla riafirmoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një zgjedhje strategjike e pakthyeshme, e mbështetur nga një konsensus i gjerë politik dhe shoqëror, me mbi 90% të qytetarëve shqiptarë që e mbështesin këtë proces.

Njëkohësisht, Balla riafirmoi objektivin e qartë të Kuvendit të Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.

“Në cilësinë time si kryetar i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit dhe drejtues i shumicës parlamentare, dëshiroj të riafirmoj angazhimin e fortë të Kuvendit për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave. Objektivi ynë i qartë është përfundimi i këtij procesi deri në vitin 2027”, vuri në dukje Balla.

Ne, shtoi ai, jemi plotësisht të vendosur të ruajmë ritmin e reformave gjatë gjithë kësaj periudhe, duke siguruar miratimin në kohë të legjislacionit të përafruar me BE-në dhe duke ushtruar mbikëqyrje e monitorim parlamentar me përgjegjësi dhe qëndrueshmëri. /j.p/

1 nga 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›