E Diel, 1 Nëntor 2026

ROMË – Zelensky rikonfirmon refuzimin për t’i lëshuar territor Rusisë

ROMË, 9 dhjetor /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka rikonfirmuar refuzimin e tij të fortë për të lëshuar territor, duke i rezistuar presionit të SHBA-së për lëshime territoriale ndaj Rusisë, sipas AP.

“Pa dyshim, Rusia këmbëngul që ne të heqim dorë nga territoret. Ne nuk duam të heqim dorë nga asgjë. Kjo është ajo për të cilën po luftojmë”, u tha Zelensky gazetarëve dje në mbrëmje.

“A po e shqyrtojmë mundësinë e lëshimit të territorit? Sipas ligjit nuk kemi një të drejtë të tillë”, tha ai.

“Sipas ligjit të Ukrainës, kushtetutës sonë, ligjit ndërkombëtar dhe, për të qenë i sinqertë, nuk kemi as të drejtë morale”, shtoi Zelensky.

Në një intervistë për “Politico” dje në mbrëmje, presidenti i SHBA-së Donald Trump i bëri sërish presion Zelensky që të pranonte propozimin e SHBA-së – duke i lëshuar territor Rusisë.

Zelensky u takua sot me papa Leone XIV në Castel Gandolfo, një rezidencë papnore jashtë Romës dhe me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Vatikani tha se papa përsëriti nevojën për vazhdimin e dialogut dhe shprehu dëshirën e tij urgjente që iniciativat aktuale diplomatike të sillnin një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Selia e Shenjtë është përpjekur të qëndrojë neutrale në luftë, duke ofruar solidaritet dhe ndihmë për atë që e quan populli “martir” i Ukrainës.

Papa Leone, i cili është takuar tre herë me Zelensky dhe ka zhvilluar të paktën një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, ka bërë thirrje për një armëpushim dhe i ka kërkuar Moskës të shprehë vullnetin për të promovuar paqen.

Zelensky zhvilloi dje në Londër bisedime me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz – për të forcuar pozicionin e Ukrainës mes presionit në rritje të presidentit amerikan, Donald Trump. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›