E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Deputetët e PD duhet të marrin pjesë në Komisionin e Territoriale, në të kundër do të ndërmarrim mekanizma zhbllokues

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, kërkoi që deputetët e PD të marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit të Territoriale, duke paralajmëruar se në rast mungese, Kuvendi do të vendosë mekanizmat për zhbllokimin e punës së tij.

Balla theksoi se tre muaj pas ngritjes së komisionit, deputetët e PD nuk lejohen nga lidershipi i tyre të ushtrojnë detyrat në komision, por shprehu besimin se ato do të jenë prezent në mbledhjen e sotme të komisionit.

 “Në mungesë të komunikimit nga opozita, dua të rikujtoj se nuk bëj ultimatum, por kam bërë një kërkesë kolegëve të PD që të reflektojnë për detyrimin e tyre për të qenë pjesë e Komisionit të Territoriale. Ne kemi vendosur si parim paritetin, barazinë dhe bashkëdrejtimin, dhe tre muaj pas ngritjes së këtij komisioni, deputetët e PD nuk lejohen nga lidershipi i tyre të marrin pjesë në mbledhjet e tij. Shpresoj që sot, në Komisionin e Territoriale, jo vetëm opozita të jetë prezent, por të marrin detyrat brenda kompozicionit të komisionit, në mënyrë që nesër në seancën e Kuvendit të mos jemi të detyruar të vendosim mekanizmat zhbllokues të këtij komisioni”, tha Balla.

Balla foli edhe për një sesion parlamentar të ngarkuar, ku tha se kjo vjen si rezultat i numrit të madh të projektligjeve që duhen shqyrtuar në përputhjeje me përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE për procesin e integrimit.

 “Dua të informoj se jemi në një proces intensiv shqyrtimi në Kuvend të mjaft projektligjeve për integrimin në BE. Besoj se ajo që raporteri për Shqipërinë tha gjatë vizitës, se me këtë ritëm reformash Shqipëria ka të gjitha shanset të anëtarësohet në BE brenda 2029, është diçka që secili prej nesh, pavarësisht grupit politik ku bën pjesë, duhet ta kuptojë. Kjo legjislaturë e Kuvendit është historike për intensitetin e punës që duhet kryer. Viti 2026 do të jetë një prej viteve parlamentare me intensitetin më të madh sa i përket numrit të çështjeve”, tha Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›