E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Territorialen, opozita bojkoton mbledhjen. Mazniku: I kemi propozuar Kuvendit ndryshimin e formulës së përfaqësimit dhe bashkëkryesinë

Opozita ka bojkotuar mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale. Bashkëkryetari i këtij komisioni, Arbjan Mazniku, deklaroi se socialistët do të propozojnë në Kuvend ndryshime për të zhbllokuar funksionimin e komisionit dhe për të vijuar punën.

“Kjo është mbledhja e katërt, që opozita nuk vjen, kemi humbur kohë për një reformë, që është me kohë të ngutshme. Synimi ynë është që të përmbyllim reformën në korrik të këtij viti, Puna kërkon shumë angazhim. Nga nxitimi dhe nevoja që kemi për të realizuar, i kemi kërkuar parlamentit të ndryshojmë mënyrën se si është ndërtuar komisioni. I kemi kërkuar Kuvendit për të ndryshuar formulën e përfaqësimit dhe do të marrin shumicën. Opozita do të ketë vendin e saj në komision, do të ketë 8 anëtarët e saj. Ne kemi propozuar edhe që bashkëkryesitë të zëvendësohen me kryetar dhe nënkryetar, si në komisionet standarde, për të krijuar një element normal parlamentar dhe për të vijuar punën,” tha Mazniku.

Mazniku shtoi se puna e komisionit do të zhvillohet në tre hapa dhe se puna do të niste që nga muaji shkurt.

“Që nga muaji shkurt, komisioni do të ndahet në tre grupe të mëdha, ku secili grup do të mbulojë katër qarqe. Gjatë këtij muaji, grupet do të takojnë kryetarët e bashkive, përfaqësues të biznesit dhe të shoqërisë civile për të mbledhur informacion dhe për të përgatitur propozimet për reformën territoriale. Në muajin mars do të zhvillohet faza e dytë e konsultimeve tematike, ku komisioni do të ndahet sërish në tre grupe pune. Grupi i parë do të merret me territorin dhe qeverisjen, grupi i dytë me funksionet e pushtetit vendor, ndërsa grupi i tretë me financimin e pushtetit vendor.

Në periudhën prill–maj do të nisë procesi i hartimit të draftit të ligjit dhe opsioneve për reformën territoriale. Duke theksuar rëndësinë dhe urgjencën e këtij procesi, është e nevojshme që konsultimet publike të jenë të gjera dhe të vazhdueshme, duke përfshirë të gjitha institucionet, në mënyrë që reforma të jetë sa më efikase dhe e qëndrueshme.”, tha Mazniku.

Ndryshimi i formulës së përfaqësimit dhe bashkëdrejtimit të komisionit do të bënte që opozita të mos kishte më të drejtë veto dhe se mazhoranca do të vijonte punën edhe e vetme në këtë komision pa qenë e detyruar të priste palën tjetër.

PS bëri të ditur se mekanizmi zhbllokues do të kalojë për miratim në seancën plenare të Kuvendit, me qëllim që puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale të mos bllokohet.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi se reforma territoriale duhet të jetë gati në korrik 2026, në mënyrë që të jetë e përgatitur për t’u zbatuar në zgjedhjet vendore të vitit 2027.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›