Balla: Opozita e vetme në botë që nuk vjen të votojë propozimet e saj

TIRANË, 29 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se opozita nuk mund t’i konsiderojë antikushtetuese ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, ndërkohë që ende nuk ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
Gjatë debatit në seancë plenare, Balla theksoi se ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit i hapin rrugë një etape të re në jetën parlamentare.
“Deputetë të opozitës deklaruan në Kuvend se është shkelur Kushtetuta, ndërkohë që këta i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen në fjalë. Të presin të shprehet Gjykata Kushtetuese që të thonë është antikushtetues. Por nëse kanë prirje ta bëjnë vetë Gjykatën është problem i tyre”, tha Balla.
Në këtë drejtim, Balla theksoi se “ne e kemi mirëpritur kërkesën e opozitës për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese”.
“Për këtë jemi shumë të qetë. Kuvendi ka votuar ndryshimet në rregullore për t’i hapur një etapë të re jetës kuvendore. Kemi ngritur 11 komisione për të ndryshuar dhe për t’i dhënë një rol të ri komisioneve të Kuvendit”, shtoi ai.
Për sa i përket kërkesës për mocion me debat, Balla bëri të ditur se ajo do të shqyrtohet nesër.
Balla ironizoi edhe largimin e opozitës nga salla e seancave plenare, ndërsa u shpreh se “janë të vetmit në botë që bëjnë propozime dhe nuk vijnë të votojnë propozimet e veta”.
Në përfundim, Balla ftoi deputetët të votojnë kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 29 shtator – 7 nëntor 2025 dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 29 shtator – 17 tetor 2025.
/m.m/a.f/r.e/