E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Projektligji për pagat e magjistratëve votohet sot në Kuvend

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kundërshtoi sot kërkesën e opozitës për të tërhequr nga rendi i ditës projektligjin që lidhet me statusin dhe pagat e magjistratëve.

Në nisje të seancës plenare, Balla tha se Këshilli i Legjislacionit e ka përfunduar shqyrtimin e çështjes dhe se tashmë i takon seancës plenare të shprehet për projektligjin.

“Kërkesa juaj nuk mund të miratohet, sepse Këshilli i Legjislacionit është shprehur”, tha Balla, ndërsa e cilësoi “hipokrit” qëndrimin e demokratëve, duke argumentuar se fillimisht akuzuan mazhorancën për vonesa dhe tani kërkojnë shtyrjen e votimit.

Balla tha se mazhoranca do të votojë kundër kërkesës së PD-së dhe se projektligji do të diskutohet sot në Kuvend.

“Kështu që vota jonë ndaj kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike është kundër, sepse kërkesa është hipokrite. Na u tha që jemi vonuar, tani na thoni meqë jemi vonuar duhet ta shtyjmë. Ka diskordancë qëndrimesh në raport me detyrën që ka Kuvendi, e votojmë sot”, shtoi Balla.

Ai iu drejtua gjithashtu Presidentit të Republikës, duke kërkuar bashkëpunim, nëse ligji miratohet të hyjë sa më shpejt në fuqi dhe, sipas tij, të zhbllokohet çështja e pagave të magjistratëve.

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 5

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›