E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Shqipëria mirëpret Bordin e PISA-s për herë të parë në Tiranë

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se se mbledhja e Bordit të PISA-s do të mbahet për herë të parë në Shqipëri.

Në fjalën e saj në Kuvend në interpelancën lidhur me rezultatet e PISA 2025, Kumbaro tha se “Bordi i PISA ka vendosur që mbledhjen e tyre të ardhshme ta zhvillojnë në Shqipëri. Pra, në tetor, mirëpresim Bordin e PISA-s të mblidhet në Tiranë”.

Kumbaro theksoi se “pas rezultateve të PISA 2025 ekipi i Ministrisë së Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore po vijojnë punën për analizimin e plotë të raportit të PISA-s. Kjo analizë ka qëllim kuptimin e rezultateve dhe nxjerrjen e përfundimeve të nevojshme, duke krahasuar rezultatet e Shqipërisë me ecurinë e saj ndër vite, me vendet e rajonit dhe me vende me realitete të ngjashme socio-kulturore e ekonomike, ndërsa do të merren në konsideratë edhe trendet globale”.

Kumbaro foli për shënimin teknik për rezultatet e Shqipërisë në PISA, duke theksuar se “është një shënim teknik, që kërkon kujdes në interpretimin e të dhënave dhe nuk është një deklarim pavlefshmërie i rezultateve”.

“OECD thotë se në skenarin e analizuar, 428 pikë përfaqëson kufirin e poshtëm të besueshëm të mesatares së rezultatit më të keq të mundshëm; Dhe po ashtu, 7.5% e devijimit standard është vlerësim i paragjykimit të mundshëm, jo një ulje prej 7.5% e rezultatit të Shqipërisë. Dhe kjo matematikë na thotë diçka troç: ylli pranë emrit të Shqipërisë nuk është një vulë pavlefshmërie; është një shënim kujdesi për interpretim, i vendosur me të njëjtën logjikë shkencore me të cilën OECD-ja shënon çdo kufizim teknik në çdo vend. OECD nuk i ka anuluar rezultatet e Shqipërisë, nuk e ka përjashtuar Shqipërinë nga PISA, dhe i ka publikuar këto rezultate bashkë me shënimin teknik që i shoqëron, njësoj siç bën për çdo vend tjetër që përballet me kufizime të ngjashme, siç ka bërë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të njëjtën arsye, apo siç ka bërë me Holandën, Zelandën e Re, Norvegjinë, Kanadanë etj., për arsye të tjera metodologjike”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se PISA është një ndër instrumentet që ndihmon në vlerësimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor, ndërsa theksoi se në qendër të këtij procesi është nxënësi.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›