Balla: Propozimet për përmirësimin e paketës së Reformës në Drejtësi, do të konsultohen me KE

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se propozimet e deputetit Olsi Komici, nuk janë ndërhyrje e njëanshme e shumicës në disa ligje të Reformës në Drejtësi, por nevojë për përmirësim të gjithë paketës që lidhet me këtë reformë.
Gjatë komunikimit për mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS, i pyetur nga gazetarët lidhur me faktin se Berisha është shprehur me herët se nuk do të votojë asnjë ligj apo propozim që prek Reformën në Drejtësi, Balla nënvizoi se “propozimet e depozituara nga deputeti Olsi Komici janë propozime të konsultuara me ekspertët dhe janë po ashtu të konsultuara në proces konsultimi, dhe deri kur të kalojnë në seancë do të jenë plotësisht të konsultuara edhe me Komisionin Europian”.
“Shqipëria është angazhuar në një proces të rëndësishëm për afrimin e legjislacionit me “acquis communautaire” dhe po ashtu janë një sërë rekomandimesh që vijnë nga Komisioni Europian që kanë të bëjnë me ato që quhen interim benchmarks dhe shumë shpejt do shkojmë edhe në ato që janë closing benchmarks. Pra, nuk janë ndërhyrje të njëanshme të shumicës, por janë nevoja të përmirësimit të gjithë paketës që lidhet me Reformën në Drejtësi. Kështu që, në këtë këndvështrim, qetësojeni zotërinë”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS, shtoi se “që për ndryshimet e vogla që nuk prekin thelbin, por përmirësojnë procesin, besoj që inicimi i draftit nga një deputet është një hap i mirë për t’u diskutuar”.
“Unë i ftoj të gjithë deputetët, jo vetëm deputetët e opozitës, por edhe deputetët e shumicës apo edhe deputetët e pavarur, të shkojnë në komision t’i diskutojmë. Një pjesë e këtyre ndryshimeve vijnë në funksion të përmbushjes nga ana e Shqipërisë të disa kushteve që kanë të bëjnë me negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, vijoi Balla, duke vënë në dukje se vendi po bëhet gati për mbylljen e kapitujve dhe Kuvendi ka një pjesë të rëndësishme të detyrave të shtëpisë të Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
Sipas Ballës, nga shtatori 2025 deri në Krishtlindjet e vitit 2027 do të jenë mbi 500 ligje të cilat duhet të miratohen në Kuvendin e Shqipërisë.
Balla tha se ndryshimet bëhen për të përmirësuar punën në disa gjykata dhe prokurori dhe për të zgjidhur disa ngërçe.
“Në gjykata nuk ka drejtues për shkak të një ngërçi që ka ligji. Dhe Kuvendi i Shqipërisë është autoriteti i vetëm që bën ligje në Shqipëri. Nuk ka institucione të tjera që bëjnë ligje dhe tjetra është që, ju lutem, të paktën mos krijoni lidhje që nuk ekzistojnë. Pra, Kuvendi i Shqipërisë i di detyrat e veta që ka në kuadër të këtij procesi dhe përmbushja e detyrave të shtëpisë nga ana e Shqipërisë lidhet me ndryshime legjislacioni. Jemi thjesht në ditët e para apo në javët e para të një pune intensive”, pohoi Balla.
Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla komentoi edhe vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Balla tha se “në vlerësimin tonë, SPAK ka bërë një punë të shkëlqyer”.
“Kush punon, gabon. Sa i përket rastit në fjalë, Kryeministri ka qenë shumë i qartë, ka pasur një vendim nga gjykata për pezullimin e një ministri. Në vlerësimin e tij dhe timin, mendoj se nuk e ka një kompetencë të tillë gjykata të pezullojë një ministër. Kushtetuta e ka barazuar ministrin me deputetin për imunitetin. Rendi kushtetues e ka të përcaktuar qartë se kur ke një ankesë e dërgon në Kushtetuese. Të presim Gjykatën Kushtetuese”, pohoi Balla.
/e.i/j.p/r.e/