Balla: SPAK, pjesa më e suksesshme e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se kriminaliteti në Shqipëri ka pësuar ulje të ndjeshme gjatë dekadës së fundit, duke theksuar se drejtësia e re ka bërë hapa përpara, por është ende larg standardeve europiane.
Balla foli në seancën plenare ku raportojnë drejtuesit e institucioneve të Drejtësisë.
Sipas tij, viti 2023 shënon rënien më të ulët të numrit të vrasjeve, vetëm 35.
Balla iu drejtua opozitës duke kujtuar se vitin e fundit të tyre në qeverisje kishte 124 vrasje. “Pothuajse katër herë ka rënë numri i vrasjeve në Shqipëri nga 2012 në 2024,” – tha Balla.
Në fjalën e tij, Balla foli për periudhën kur shërbeu si ministër i Punëve të Brendshme dhe përmendi “thyerjen e mitit të mos-ekstradimeve nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, duke theksuar se “Shqipëria gjatë 2024 dhe 2025 ka ekstraduar nga Dubai më shumë se çdo vend tjetër në Europë”.
Lidhur me reformën në drejtësi, ai tha se Prokuroria e Posaçme (SPAK) është “pjesa më e suksesshme e reformës”, ndërsa theksoi se mazhoranca nuk ka ndërhyrë asnjëherë në punën e institucioneve të drejtësisë.
“Kemi hequr me vetëdije dorë nga çdo proces përzgjedhjeje apo kontrolli mbi prokurorët dhe gjyqtarët”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit parlamentar të mazhorancës u shpreh se ajo që ka ndodhur me institucionet e drejtësisë është një ndryshim epokal që nga viti 1912, kur shqiptarët shpallën pavarësinë.
Balla ngriti shqetësimin në emër të grupit parlamentar të shumicës, të bërë publik nga kryeministri, lidhur me rastin e disa prokurorëve apo gjyqtarëve të cilët, në zgjedhjen mes interesit publik dhe ndonjë interesi tjetër, kanë bërë “hasha” interesin publik dhe kanë shkuar drejt interesit tjetër.
“Për ne është shumë e rëndësishme që drejtësia të niset nga interesi publik. Uzurpimi i hapësirave publike është në dëm të interesit publik. Kushdo qoftë ai prokuror apo gjyqtar që nuk respekton interesin publik në çlirimin e hapësirave publike, nuk i shërben drejtësisë”, theksoi ai.
Balla shtoi se edhe për Prokurorinë e përgjithshme dhe për rrethet mendoj se janë disa të drejta kushtetuese që duhet të prevalojnë
“Mendoj që çështja e prezumimit të pafajësisë është një e drejtë kushtetuese që duhet të prevalojë. Koha e paraburgimit duhet riparë dhe rrjedhja e të dhënave hetimore në publik me qëllim linçimi duhet të marrë një zgjidhje”, vuri në dukje ai.
Në përmbyllje, ai nënvizoi se asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë, sado i nevojshëm të duket, nuk do të ndodhë vetëm me votat e mazhorancës, por në çdo rast, do të marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian.
Balla u ndal edhe tek kallëzimi nga ana e tij në një dosje penale në ngarkim të një anëtari të opozitës.
“Prej ditës kur kam depozituar kallëzimin në Prokurorinë e Posaçme, nuk kemi folur më për atë çështje — dhe kështu do të vazhdojë”, theksoi ai.