E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Shqipëria pranon integrimin edhe pa të drejtën e vetos

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla replikoi sot me opozitën në Kuvend gjatë diskutimeve në seancën plenare, ku u ndal kryesisht te procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe debati politik që po zhvillohet aktualisht në Bruksel.

Balla tha se sot në Bashkimin Europian ekziston një debat i fortë lidhur me reformimin e brendshëm të Unionit përpara pranimit të vendeve të reja. Sipas tij, diskutimi nuk lidhet më me përgatitjen e vendeve kandidate, por me mënyrën e funksionimit të vetë BE-së.

“Debati sot është se nuk ka zgjerim pa reformim të brendshëm të Bashkimit Europian. Dikur thuhej se problemi ishin vendet që kërkonin të hynin, ndërsa sot thuhet se vendet kanë përparuar, por Bashkimi Europian ka probleme të brendshme që duhen zgjidhur”, u shpreh Balla.

Ai u ndal edhe te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama për procesin e integrimit, duke theksuar se Shqipëria ka shprehur gatishmëri për të avancuar në procesin e anëtarësimit edhe nëse kjo do të nënkuptonte kufizime në të drejtën e vetos.

“Ne kemi thënë që jemi gati të hyjmë edhe pa të drejtë vetoje, nëse kjo ndihmon procesin e zgjerimit dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Balla.

Duke folur për marrëveshjen me bankën gjermane për zhvillim KfW, Balla theksoi se gjatë dy dekadave të fundit Shqipëria ka përfituar mbështetje të rëndësishme nga Republika Federale e Gjermanisë përmes mekanizmit financiar të KfW, i cili sipas tij ka mundësuar projekte jetike në sektorë të rëndësishëm si ujësjellësat, kanalizimet dhe transmetimi i energjisë.

Ai kujtoi gjithashtu një projekt të rëndësishëm energjetik për lidhjen mes Shqipërisë dhe Kosovës, i cili sipas tij ishte penguar nga qeveriademokrate ndërsa u zhbllokua pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste.

“Falë kësaj qeverie sot Shqipëria dhe Kosova shkëmbejnë energji elektrike mes njëra-tjetrës”, u shpreh Balla në seancën plenare.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›