Debate mes Ballës dhe deputetëve të opozitës në Kuvend, ndërpritet seanca

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Seanca plenare u përfshi nga debate pasditen e sotme mes mazhorancës dhe opozitës, të cilat çuan në ndërprerjen e saj dy herë rresht.
Debati nisi gjatë fjalës së kreut të grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, i cili po fliste nga foltorja e Kuvendit dhe u ndërpre nga deputetët e PD-së.
Pas ndërprerjeve, Balla u shpreh se, “realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju thonim si mendoni ju për këtë. 0900, se për ty kam këtë numrin, për ty Albana, pa dyshim”.
Kjo frazë u interpretua si ofendim nga deputetët e opozitës ndaj deputetes Vokshi dhe reaguan duke u ngritur në këmbë dhe duke bllokuar foltoren.
Pas debateve me tone të larta, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ndërpreu seancën plenare, për disa minuta. Pas rinisjes, sërish pati debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Balla sqaroi në Kuvend deklaratën e tij për numrin telefonik “0900”, duke akuzuar opozitën se është e turpshme prishja e seancës për një numër telefoni linjë e gjelbër që jep informacione.
Balla theksoi se deklarata e tij nuk kishte lidhje me asnjë fyerje personale, por i referohej një linje informacioni që përdoret në Bashkimin Europian për të marrë të dhëna mbi vendimmarrjen dhe funksionimin e institucioneve europiane.
Kreu i grupit parlamentar socialist shtoi se nëse deputetja Albana Vokshi është ndjerë e fyer nga deklarata e tij, ai i kërkon ndjesë, duke theksuar se diskutimi i tij në seancë kishte të bënte me reformën dhe debatet aktuale në Bashkimin Europian.
“Nuk ka lidhje për asnjë fyerje bëhet fjalë për një numër telefonik që në Bashkimin Evropian merret për të marrë informacion mbi BE-në. Kaq e thjeshtë është, kush ka nevojë të marrë informacion mbi Bashkimin Evropian, ka një numër “green line” ku ti mund të marrësh informacion mbi vendimmarrjen e Bashkimit Evropian. Sa i takon keqinformimit, nëse kolegia Vokshi ndihet e fyer, unë i kërkoj ndjesë! Isha duke folur për reformën në Bashkimin Evropian. Ja ku e keni numrin me 0900 të Bashkimit Evropian ku çdo qytetar merr informacion për vendimmarrjen në Bashkimin Evropian.
Kushdo që do ta përdori këtë situatë për të nxitur protestat, për të frymëzuar dështimin e protestave le ta marri. Zonja Vokshi, nëse ndihesh e fyer nga fjala ime, edhe një herë ndjesë!”, tha Balla.
Gjatë momentit që Balla po fliste, deputeti i PD-së, Klevis Balliu tentoi që t’i heqë mikrofonin dhe të përplaset fizikisht.
Pas debatit, seanca u ndërpre sërish deri në rikthimin e normalitetit.
/m.q/r.e/