E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla i reagon Berishës: Aktiviteti në Vlorë për 35-vjetorin e PS, ju ka mundur në 15 nga 20 betejat elektorale

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu përgjigj sot në Kuvend kritikave të Sali Berishës lidhur me aktivitetet e Partisë Socialiste në Vlorë dhe debatin për investimin në Zvërnec.

Balla ironizoi kreun e Partisë Demokratike duke thënë se ai kërkon të marrë pjesë në festimet e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ndërsa kujtoi fitoret elektorale të socialistëve ndaj demokratëve.

“Ne ju kemi mundur 15 herë nga 20 beteja elektorale. Me Edi Ramën kryetar të PS-së ju kemi mundur 8 herë rresht në 8 përballjet e fundit. Do t’ju mundim përsëri pas një viti në zgjedhjet vendore dhe do t’ju mundim edhe në vitin 2029”, deklaroi Balla.

Ai hodhi poshtë pretendimet për organizimin e një antimitingu në Vlorë, duke theksuar se aktiviteti i Partisë Socialiste është pjesë e festimeve për 35-vjetorin e kësaj force politike.

Një pjesë e rëndësishme e reagimit të Ballës iu kushtua projektit të investimit në Zvërnec.

Sipas tij, ky është një investim historik që nuk duhet humbur dhe që do ta ndihmojë Shqipërinë të ngjitet mes destinacioneve më të zhvilluara turistike.

“Investimi në Zvërnec do të realizohet. Shqipëria nuk e ka as shansin dhe as luksin ta humbasë këtë investim. Është një investim historik që do ta vendosë vendin tonë në Ligën e Kampionëve të turizmit të zhvilluar”, u shpreh Balla.

Ai sfidoi opozitën të shprehet qartë nëse është pro apo kundër projektit, duke theksuar se Partia Socialiste e mbështet plotësisht investimin.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›