Lamallari: Efektivi i plagosur jashtë rrezikut për jetën, refuzoj teatrin politik në Kuvend

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari tha sot në Kuvend se opozita nuk ka lidhje me protestën kundër projektit të Zvërnecit, teksa i cilësoi reagimet në parlament si “një teatër i shëmtuar”.
“Ju nuk keni lidhje fare me atë protestë, juve ata ju përbuzin, ju bëni teatër. Ky është një teatër i shëmtuar që unë e refuzoj. Ju mund të shkoni në protestë, por nuk keni fare frymëzim. Ti, Shehaj ke dalë nga kjo parti dhe nuk ju beson askush”, tha ai.
Lamallari tha se kishte komunikuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili e ka informuar se efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq është jashtë rrezikut për jetën.
“Unë po komunikoja me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit i cili më njoftoi se efektivi i plagosur është jashtë rrezikut për jetën”, tha ministri.
Lamallari garantoi se do të kryhet gjithë vlerësimi i ngjarjes në Maliq dhe do të merren masat e duhura administrative dhe ligjore.
Lamallari shtoi se “nga ana tjetër kam ardhur për interpelancë, por nëse vazhdon ky teatër i shëmtuar, vazhdoni, turpi qoftë me ju, unë do të largohem sepse është më e rëndësishme të jem atje në spital të vizitoj efektivin e plagosur se të rri me një show të shëmtuar që qytetarët shqiptarë e përbuzin”.
/m.q/j.p/r.e/