E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla reagon ndaj Shehajt: Me çfarë mandati i përfaqëson protestuesit?

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu drejtua protestuesve nga foltorja e Kuvendit duke pyetur nëse i kishin dhënë kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj ndonjë mandat përfaqësimi.

“Kam një pyetje shumë të drejtpërdrejtë për protestuesit. Djem dhe vajza, protestues, Agron Shehaj me çfarë mandati vjen në Kuvendin e Shqipërisë t’ju përfaqësojë ju? Keni firmosur ju një mandat përfaqësimi që ky të vijë t’ju përfaqësojë?”, tha Balla.

Ai akuzoi Shehajn për përdorim të paligjshëm të të dhënave personale të qytetarëve, duke iu referuar nismës së mbledhjes së firmave për reformën në drejtësi.

“Ky jua ka vjedhur firmat, jua ka vjedhur numrat e telefonit. Këto të dhëna personale i përdor për qëllime partie”, deklaroi Balla.

Më tej, deputeti socialist tha se protesta nuk ka pronarë politikë dhe se askush nuk mund të flasë në emër të saj.

“Protesta është e njerëzve. Aty ka djem dhe vajza që protestojnë për arsye të ndryshme. Disa protestojnë për pelikanët, disa për çështje të tjera. Askush nuk mund të dalë dhe të thotë ‘unë jam pronari i protestës’”, u shpreh ai.

Në fund të replikës, Balla lëshoi akuza të forta ndaj Shehajt, duke e cilësuar atë “hajdut” dhe “gjobaxhi”.

“Ti je një hajdut. Ti je një gjobaxhi që u vihesh bizneseve nga mbrapa. U thua televizioneve pse nuk më nxirrni në televizor. Ti je gjobaxhi”, deklaroi Balla nga foltorja e Kuvendit.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›