E Martë, 3 Nëntor 2026

Balluku: Më 11 maj, 11 mandate për qarkun e Fierit

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Belinda Balluku i bëri apel sot të rinjve fierakë të votojnë PS-në në zgjedhjet e 11 majit duke theksuar se “me mandatin e katërt do të mbyllim njëherë e mirë tranzicionin për të hapur kapitullin e Shqipërisë europiane”.

Në fjalën e saj në takimin me të rinjtë në Fier, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “është gjithmonë sfidë e madhe që të bësh të rinjtë të bashkohen, është sfidë e madhe që të gjesh pikat kyçe që të rinjtë tek zëri yt të gjejnë veten”.

“Është sfidë e madhe për një politikan sot që të komunikojë me të rinjtë, ju keni shumë informacion, kërkesa, ëndrra, të cilat janë shpeshherë në duart tona, por që sot për herë të parë ju do jeni vendimmarrës”, tha Balluku.

Balluku u shpreh se “ky mandati i katërt është ndryshe nga çdo mandat tjetër, ky mandat është një faqe e re e historisë së Shqipërisë. Me këtë mandat do të mbyllim njëherë e mirë tranzicionin për të hapur kapitullin e Shqipërisë europiane, të vitit 2030 e Shqipërisë që u përket juve dhe brezave të tjerë që do të vijnë”.

Ne, vijoi Balluku, jemi europianë të lindur, kemi lindur në zemër të Europës ne jemi mesdhetarë siç janë grekët, italianët, kroatë dhe të gjithë ata që i janë bashkuar prej kohësh BE-së.

“Tashmë ka ardhur koha jonë, pasi kemi kaluar një rrugëtim të gjatë e të mundimshëm, me sfida, detyra për t’u përmbushur që vetëm PS dhe Edi Rama mund të sillte Shqipërinë, vetëm një hap larg anëtarësimit në BE”, tha Balluku.

Duke folur për opozitën, Balluku tha se “është hedhur baltë pa fund mbi ne, mbi PS-në, mbi secilin prej nesh dhe vazhdojnë e hedhin baltë edhe mbi ju, mbi të rinjtë e këtij vendi, mbi secilin prej jush i cili vendos të bëhet pjesë e këtij rrugëtimi, e kësaj beteje”.

Por baltës ne  japim përgjigjen më 11 maj duke votuar numrin 5 duke votuar PS-në, Edi Ramën, 11 maj, 11 mandate për qarkun e Fierit në një triumf historik që nuk e kemi parë kurrë më parë”, u shpreh Balluku. /k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›