Banorët e prekur nga zjarri në Gramsh, qëndrimi i familjeve të pastreha në konvikt drejt fundit

Liverta Dervishi dhe Myrvete Zisko janë dy nga katër gratë që kanë më shumë se 1 muaj që vazhdojnë të strehohen në konviktin e nxënësve të gjimnazit të qytetit të Gramshit.
Shtëpitë e tyre u dogjën në zjarrin që mori përmasa apokaliptike, duke i marrë jetën edhe një personi.
“Na u dogjën shtëpitë. Nuk e pandehëm se do digjeshin, se ishim i treti fshat. U dha zjarri në Kullollas, në Bletës, pastaj erdhi te ne. Oburra, të ikim të shpëtojmë kokën, thamë,” shprehet zonja.
Në ato ditë gushti, në njësinë administrative Skënderbegas, 25 familje mbeten të pastreha pasi zjarri shkrumboi totalisht banesat e tyre. Tashmë ato janë strehuar në kontejnerët e ngritur nga Bashkia e Gramshit në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, ku priten të shkojnë edhe këto katër gra.
“Kanë sjellë kondicionerët, i kanë vendosur dhe sot mund të bëjnë punimet,” thotë zonja.
Me mbështetjen e qeverisë dhe disa bashkive që i kanë ardhur në ndihmë Bashkisë Gramsh, pritet që së shpejti të nisë puna për ndërtimin e shtëpive të reja në shtatë fshatrat e prekur.
Qëndrimi i familjeve të pastreha nga njësia administrative Skënderbegas në konviktin e nxënësve të gjimnazit të qytetit të Gramshit. Nga 25 familje të strehuara pas djegies së banesave, aktualisht kanë mbetur vetëm katër gra të vetme.
/rtsh.al/