Bardhi: Kërkojmë shkarkimin e Presidentit Begaj, shkeli 7 herë Kushtetutën

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se ka kërkuar nga Kuvendi fillimin e procedurave parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
“Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kam dorëzuar sot në protokollin e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Bajram Begaj për shkelje të rënda, e në mënyrë të vazhdueshme, të Kushtetutës së Shqipërisë”, tha Bardhi, në një dalje për mediet nga kryesia e Kuvendit.
“Kërkesa është e argumentuar gjerësisht në një material prej 80 faqesh, të mbështetura mbi 21 prova shkresore prej 224 faqesh, të cilat dëshmojnë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e procedurës që kemi iniciuar”, theksoi Bardhi, duke shtuar se, “por po ashtu jemi të bindur se Bajram Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë de juro Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, funksione të cilat i ka humbur prej shumë kohësh tashmë”.
Sipas tij, Begaj ka konsumuar 7 shkelje kushtetuese të rënda: “Dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë; Ndërprerja antikushtetuese e mandatit të gjyqtarit kushtetues; Dekretimi antikushtetues i ligjit për komisionet hetimore; Dekretimi antikushtetues i ministres virtuale “Diella”; Refuzimi për të ndaluar përfshirjen e trupit diplomatik në fushatë elektorale; Ndërhyrja antikushtetuese nëpërmjet Kabinetit të tij në procesin zgjedhor; Përfitimet personale dhe të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës”.
Bardhi nënvizoi se, “të gjitha shkeljet që listohen në këtë kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Ai nënvizoi se, kushdo që mendon që kjo iniciativë është pjesë e betejës politike me kundërshtarin politik, e ka gabim.
“E ka gabim, sepse Presidenti i Republikës nuk është kundërshtari ynë politik. Ose e thënë më mirë, Presidenti i Republikës nuk duhet të ishte kundërshtari ynë politik. Ne nuk kemi betejë politike apo garë elektorale me Presidentin e Republikës. Por, sjellja, veprimet dhe mosveprimet e Bajram Begajt nga data 24 korrik 2022, kur është betuar solemnisht se do t’i qëndrojë besnik Kushtetutës dhe ligjit, në fakt kanë dëshmuar se e vetmja besnikëri e tij ka qenë ndaj Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, duke bërë kështu që Presidenti të humbasë funksionin e tij si pushtet neutral që nuk hyn në lojën politike, por që qëndron mbi palët, përfaqësues i unitetit kombëtar dhe simbol i tij, kryetar i shtetit dhe zgjidhës i krizave të sistemit, garant i Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”, tha Bardhi.
Ai theksoi se kërkesa i shërben më së pari interesit publik.
“Synojmë të kthejmë institucionin e Presidentit të Republikës në binarët e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, në funksionin e tij si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit.”
/gj.m/a.f/r.e/