Bardhi: Koncesioni për aeroportin e Vlorës me procedura fiktive

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot lidhur me koncesionin e aeroportit të Vlorës.
Bardhi u shpreh se “megaafera e koncesionit të aeroportit të Vlorës është provuar me dokumente shtetërore si një procedurë fiktive, me kompani fiktive dhe me veprime të kryera hapur në mashtrim të ligjit”.
“Dokumentacioni zyrtar i procedurës tregon qartë se kompanitë Mabco Construction dhe 2A Group nuk plotësonin kriteret ligjore për të fituar koncesionin e aeroportit të Vlorës. Për këtë arsye, gjatë aplikimit, ato futën në mënyrë fiktive në konsorcium kompaninë turke YDA Group, e vetmja me eksperiencë reale në ndërtimin e aeroporteve”, u shpreh Bardhi.
Bardhi theksoi se “vetëm një vit pas shpalljes fitues, YDA Group u tërhoq nga zotërimi i 40% të aksioneve”.
“Aksionet u shitën tek njëra nga kompanitë koncesionare për shumën qesharake prej 4 450 euro. Pra, 40% e një aeroporti ndërkombëtar, me fitime të parashikuara mbi 700 milionë euro, u vlerësuan sa një makinë e vjetër e përdorur! Në çdo shtet normal, ky akt do të kishte anuluar automatikisht koncesionin…”, u shpreh ai.
Bardhi theksoi se “ministrja përgjegjëse për koncesionin e aeroportit të Vlorës, Belinda Balluku, miratoi tërheqjen e kompanisë turke pa bërë asnjë zhurmë, pa ngritur asnjë shqetësim dhe duke pranuar zyrtarisht fiktivitetin e gjithë procedurës”.
Bardhi në reagimin e tij nënvizon se Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duhet ta hetojë koncesionin e Aeroportit të Vlorës. “Ky krim nuk është edhe aq intelektual sa t’i shpenzojë SPAK-ut shumë kohë për ta hetuar”, shtoi Bardhi.
Sipas tij, “faktet janë publike, dokumentet ekzistojnë. Çështja është se na duhen prokurorë që nuk kanë vija të kuqe të paracaktuara për pandëshkueshmërinë apo prokurorë që nuk intimidohen nga krimi i organizuar. Kjo mbetet ende për t’u provuar”, shtoi Bardhi.
/m.m/r.e/