Berisha: Do të ketë garë të hapur për kryetarin e PD-së, do të jem pjesë e saj

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se në PD do të zhvillohet një garë e hapur për kreun e ri të partisë, ku edhe ai vetë do të marrë pjesë.
Ai theksoi se çdo anëtar, deputet apo mbështetës i PD-së do të ketë lirinë e plotë për të shprehur mendimin e tij, ndërsa interpretimi përfundimtar i statutit të partisë do t’i takojë anëtarësisë.
“Do të ketë një garë për kryetarin e PD-së. Sigurisht që do të jem pjesë e saj. Por do të jetë një garë e hapur, ku mund të marrë pjesë kushdo,” u shpreh Berisha.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se 11 Majit 2025 kanë qenë një farsë, duke shtuar se “këtë e thotë edhe raporti paraprak të OSBE-ODIHR dhe rekomandimeve të Këshillit të Evropës”.
“Së pari, cilido që lexon raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe ka kulturën minimale në të drejtën elektorale, e kupton se zgjedhjet kanë qenë farsë. Janë zhvilluar në kushtet e partisë-shtet, në kushte të pabarabarta, siç thuhet edhe në raportet përkatëse,” tha Berisha.
“Zgjedhorja”, Berisha: Ende s’janë përcaktuar emrat për komisionin. Paketa për reformën do jetë fryt i përbashkët i gjithë opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se ende nuk janë caktuar emrat që do të përfaqësojnë opozitën në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, pasi procesi ndodhet ende në fazën e diskutimeve paraprake.
“Akoma nuk kemi. Do mandatohen, por tani për tani po bëhen diskutime paraprake në Komisionin e Ligjeve. Natyrisht po shqyrtohen rrethanat, kriteret dhe me radhë. Nuk ka akoma një ekip të mandatuar nga ne që ky do jetë për këtë reformë apo për atë reformë,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, vendimet për përfaqësuesit do të merren pasi të qartësohet platforma mbi të cilën do të punojnë komisionet.
“Sapo të qartësohet çfarë platforme do zbatohet në punën e këtyre komisioneve, atëherë ne do marrim vendimet,” shtoi ai.
Berisha theksoi se paketa e reformës zgjedhore do të jetë një produkt i përbashkët i të gjitha forcave të opozitës, përfshirë edhe partitë e reja.
“Paketa e reformës zgjedhore do jetë fryt i përbashkët i të gjitha forcave të opozitës. Ta them unë që këtu. Ne nuk kemi asnjë lloj, përkundrazi unë edhe në parlament ndjehem jo mirë kur shkojnë dhe u lënë atyre një kohë 2 minuta se nuk kanë grup, i diskriminojnë në shkallë ekstreme, pavarësisht se ata përfaqësojnë zgjedhësit e të tjerë me radhë”, u shpreh Berisha.
Berisha nënvizoi gjithashtu se opozita synon përfshirjen e të gjitha forcave politike në proces. Sipas tij, nëse partitë e vogla do të kishin kërkuar grup parlamentar, PD do ta kishte konsideruar seriozisht mbështetjen e tyre.
“Po këta kanë frikë nga opozita dhe frikë nga zëri i opozitës. Po të kishin kërkuar që të kishin grup parlamentar, ne do ta konsideronim shumë seriozisht që edhe ata të kishin grupin e tyre parlamentar”, tha ai.
/rtsh.al/