Bardhi: Kufizimi i hapësirës së debatit në Kuvend cenon interesin publik

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mori pjesë sot në tryezën e nivelit të lartë “Forcimi i Qeverisjes Demokratike dhe Ndryshimit Transformues”, të organizuar nga Ambasada Britanike në Shqipëri dhe Westminster Foundation for Democracy.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi ngriti shqetësime mbi funksionimin e demokracisë dhe rolin e Kuvendit.
Ai përmendi “kufizimin e hapësirës së debatit, mungesën e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimin e shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv”.
“Demokracia nuk është gjendje e dhënë njëherë e përgjithmonë. Ajo është një proces që kërkon vigjilencë të përditshme, institucione të forta dhe mbi të gjitha vullnet politik për të respektuar rregullat e bashkëjetesës demokratike”, tha ai. Bardhi theksoi se roli i Kuvendit është kyç në këtë drejtim. “Parlamenti nuk duhet të jetë thjesht një mekanizëm formal për miratimin e ligjeve të propozuara nga qeveria, por një hapësirë reale debati, kontrolli dhe llogaridhënieje. Në këtë kuptim, opozita nuk është pengesë, por një komponent i domosdoshëm i një demokracie funksionale. Një opozitë e fortë dhe e dëgjuar garanton balancën e pushteteve dhe mbron interesin publik”, shtoi ai. Megjithatë, Bardhi theksoi se “realiteti që përjetojmë shpesh na tregon se ky rol nuk është gjithmonë i lehtë për t’u ushtruar”. “Sfida të tilla si kufizimi i hapësirës së debatit, mungesa e transparencës në proceset vendimmarrëse dhe përdorimi i shumicës parlamentare për të shmangur kontrollin efektiv, dëmtojnë besimin e qytetarëve tek institucioni dhe cenojnë interesin publik. Është fakt tashmë i njohur botërisht se kërkesat e deputetëve të opozitës për informacion mbeten pa përgjigje. Kërkesat tona për interpelanca dhe pyetje me kryeministrin apo anëtarët e qeverisë refuzohen, ndërsa kërkesat tona për ngritjen e komisioneve hetimore rrëzohen. Projektligjet tona po ashtu votohen kundër përpara se të lexohen, edhe pse në disa raste të njëjtat nisma ligjore merren nga qeveria apo mazhoranca dhe miratohen”, tha Bardhi. /m.m/j.p/