Bardhi pas vendimit të Kushtetueses për Avokatin e Popullit: Dënoj shtrembërimin e fakteve dhe provave

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike që kundërshtonin zgjedhjen e Endri Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.
Pas vendimit ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili ka kritikuar arsyetimin e bërë publik nga Gjykata Kushtetuese lidhur me rrëzimin e kërkesës.
Bardhi shprehet se grupi parlamentar do të respektonte çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kundërshton atë që e cilëson si “mashtrim publik” dhe “shtrembërim të fakteve dhe provave”.
“Mund të kishin thënë thjesht ‘rrëzohet’, për qëllime politike, pa pasur nevojë të mashtronin publikisht. Në çdo rast, çfarëdo lloj vendimi që do të merrte Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektonim si të detyrueshëm për zbatim. Por mashtrimin publik nuk e respektojmë dot; përkundrazi, e përbuzim me përçmim”, shprehet Bardhi.
Duke iu referuar njoftimit të Gjykatës Kushtetuese për arsyet e rrëzimit të kërkesës, Bardhi kundërshton konstatimin se kushti për verifikimin e kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare ishte plotësuar përpara tërheqjes së mbështetjes.
Sipas tij, “grupi parlamentar i PD-së ka tërhequr mbështetjen në datën 5 dhjetor 2025, përmes shkresës nr. 3853 Prot., datë 05.12.2026”, ndërsa verifikimi i kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve dhe kalimi i tyre për votim në seancë plenare, sipas Bardhit, është bërë në mbledhjen publike të Komisionit më 9 dhjetor 2025.
“Pra 4 ditë pas tërheqjes së mbështetjes”, thekson ai.
Bardhi vijon duke deklaruar se kjo situatë “vendos në pikëpyetje të fortë kushtetutshmërinë e vendimmarrjes së Gjykatës në rastin konkret”.
“Dënoj me forcë shtrembërimin e fakteve dhe provave nga Gjykata Kushtetuese. Një gjykatë që deformon faktet, humbet besueshmërinë”, shprehet Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së deklaron se “një gjykatë që i shmanget transparencës dhe që mashtron opinionin publik mbi fakte të njohura publikisht, nuk bën drejtësi, por politikë”.
/e.i/r.e/a.f/