E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi për vendimin e “Kushtetueses”: Kjo është politikë, jo drejtësi

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar “politik” vendimin e marrë sot nga Gjykata Kushtetuese, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e komisioneve hetimore.

Vendimi, i cili i njeh të drejtën PD-së për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e zgjedhjeve, i rrëzon partisë më të madhe në opozitë kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e njohur si “McGonigal”.

Për Bardhin, “1 po, 1 jo, është politikë, jo drejtësi kushtetuese!”.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për pranimin e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ndërsa rrëzon kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për aferën korruptive McGonigal, është dëshmi flagrante e presionit politik ndaj kësaj gjykate”, shprehet Bardhi.

“Sesi mund të thuhet që kërkesës i mungonin indiciet për ta konsideruar çështje të veçantë, ndërkohë që ajo bazohet në shtatë dokumente zyrtare të drejtësisë amerikane, arbitrazhit ndërkombëtar dhe drejtësisë shqiptare, vetëm një gjykatë nën presion politik mund ta thotë. Aq më tepër që kjo vendoset 4 me 4 dhe, për këtë shkak, rrëzohet pa vendim, njësoj si afera tjetër personale e Edi Ramës për çështjen ‘Becchetti'”, shkruan Bardhi.

“Por, pavarësisht kësaj, e mirëkuptoj Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin e sotëm. Fundja, afera ‘McGonigal’ është funerali politik i Edi Ramës dhe Gjykata jonë Kushtetuese kurrsesi nuk do të mund të kishte guximin profesional për ta organizuar atë, njësoj si kolegët e tyre në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të cilët prej 3,5 vitesh mbajnë në sirtar procedimin penal nr. 22, të vitit 2023”, përfundon Bardhi.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›