E Martë, 3 Nëntor 2026

Barrikadat në veri, gjykata lëshon urdhërarrest për Radoiçiç dhe 10 të tjerë

PRISHTINË, 18 qershor /ATSH/ Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar sot fletarrestime për Millan Radoiçiiç dhe dhjetë të dyshuar të tjerë për ngritjen e barrikadave në veriun e Kosovës, në vitin 2022.

Radoiçiç dhe 50 të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar pasi dyshohet se kanë minuar rendin kushtetues të Kosovës dhe kanë marrë pjesë në protestat dhe ngritjen e barrikadave në veri më 2022.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiç. Urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.

Radoiçiç po kërkohet në Kosovë për krime lufte dhe sulmin në Banjska, në shtator 2023.  Ai aktualisht ndodhet i lirë në Serbi dhe gjithashtu është në kërkim nga Interpoli.

Miratimi i kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për lëshimin e fletarrestimeve për Radoiçiç dhe të tjerët vjen në ditën kur dëgjimi i kryetarit të Listës Serbe, Zllatan Ellek, para Prokurorisë Speciale në Prishtinë u shty, pasi avokati i tij ishte sëmurë.

Më 10 dhjetor 2022, në veri serbët ngritën barrikada për shkak të arrestimit të Dejan Pantiç, ish-zyrtar policor, i akuzuar për pjesëmarrje në sulmin ndaj ambienteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Barrikadat pasuan një sërë incidentesh dhe tensionesh të shtuara, pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri në fillim të nëntorit 2022, me iniciativën e Listës Serbe. Barrikadat u hoqën më 29 dhjetor, pas thirrjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›