Beci: Asnjë tolerim për askënd që cenon investimet publike

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Fasadat e pallateve pranë Urës Dervishbeg, rikonstruksioni i të cilave përfundoi pak javë më parë u dëmtuan nga ndërhyrje individuale.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci përmes një postimi në rrjetet sociale dënoi këto ndërhyrje, duke theksuar se prona publike është e qytetarëve të Shkodrës dhe do të mbrohet me vendosmëri.
Ndërkohë, Policia Bashkiake dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ndërhynë menjëherë për kthimin e fasadës në gjendjen e mëparshme.
Vetëm pak javë pas rikonstruksionit të fasadës pranë Urës Dervishbeg, individë të papërgjegjshëm kanë lyer dhe vendosur tubacione mbi një punë të re, duke shkatërruar imazhin e qytetit dhe punën e bërë për qytetin.
Biznesi përgjegjës u detyrua me forcën e ligjit ta rikthente fasadën në gjendjen e mëparshme dhe ndaj tij u morën masat e duhura ligjore.
“Bashkia Shkodër nuk toleron askënd që cenon investimet publike. Kush prek punën e qytetit, përballet me ligjin, pa asnjë kompromis”, tha Beci.
Fasadat e pallateve pranë Urës Dervishbeg janë rikonstruktuar përmes sistemit kapot, gjë ka sjellë jo vetëm një pamje tjetër për këto godina, por edhe kursim energjie për banorët.
Ky projekt u realizua në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe përfshiu rikontruksionin e rreth 100 pallateve.
1 nga 7/k.s/j.p/