Beci: Hapësira pranë Universitetit të Shkodrës do t’i kthehet studentëve

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Bashkia Shkodër, vijon punën për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.
Në një njoftim për mediet, bashkia njofton se ky aksion është përqendruar edhe pranë hapësirave pranë Universitetit të Shkodrës.
Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe Rektori i Universitetit, Tonin Gjuraj bashkërenduan planin për pastrimin dhe sistemimin e këtyre hapësirave, me synimin që ato të shndërrohen në ambiente funksionale për studim, aktivitete akademike dhe jetën e përditshme të studentëve.
“Një realitet që nuk i ka hije e nuk i takon vendit të dijes, hekurishte dhe lloj-lloj rraqesh që i zinin frymën dhe i ulnin dinjitetin. Këto hapësira të godinave të Universitetit të Shkodrës do të pastrohen dhe do t’u kthehen studentëve”, tha Beci.
Beci u shpreh se “bashkia Shkodër do t’i japë universitetit fytyrën e merituar, duke e kthyer atë në funksion të dijes dhe të jetës studentore”.
“Ky proces pritet të rikthejë normalitetin në një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend, duke i dhënë jo vetëm universitetit, por edhe qytetit të Shkodrës një hapësirë dinjitoze, në funksion të dijes dhe zhvillimit. Ndërhyrja është pjesë e angazhimit të Bashkisë për të mbështetur universitetin dhe për ta shndërruar atë në një qendër moderne studimi, duke reflektuar rolin historik e akademik në formimin e brezave të rinj”, tha ai.
Ndërhyrjet në Shkodër janë pjesë e aksionit që po zhvillohet në të gjithë vendin, për lirimin e hapësirave publike në mbrojtje të komuniteteve dhe lëvizjes së lirshme të qytetarëve.
Nisma do të vazhdojë deri në largimin e plotë të të gjitha strukturave pa leje, në bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore, për t’u siguruar që hapësirat publike i përkasin qytetarëve.
/e.i/j.p/