Begaj përkujton 30-vjetorin e masakrës së Srebrenicës: Na kujton rëndësinë e veprimit në shërbim të paqes

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj përkujtoi sot 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke e cilësuar atë si masakrën më të rëndë që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore.
Në një mesazh të ndarë në rrjetet sociale me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, Presidenti Begaj nënvizon se mbi tetë mijë boshnjakë u masakruan nga ushtria serbe dhe mijëra të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
“Jemi pranë familjeve që vijojnë të mbajnë dhembjen e thellë për njerëzit e tyre të dashur, viktima të këtij gjenocidi,” shkruan Presidenti Begaj, duke shtuar se Srebrenica, edhe pas tri dekadash, mbetet një kujtesë e gjallë për domosdoshmërinë e veprimit të përditshëm në shërbim të paqes.
/a.f//r.e/