E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgjikë/ Mashtrime me trajnimin e diplomatëve të rinj, arrestohet rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini

Prokuroria Evropiane (EPPO) po kryen kontrolle në Kolegjin e Evropës në Bryzh (Belgjikë) dhe në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (SEAE) të BE-së në Bruksel, në kuadër të një hetimi për mashtrim të dyshuar lidhur me programet e trajnimit të financuara nga BE-ja për diplomatët e rinj.

Prokuroria Evropiane (EPPO) po kryen kontrolle në Kolegjin e Evropës në Bryzh (Belgjikë) dhe në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (SEAE) të BE-së në Bruksel, në kuadër të një hetimi për mashtrim të dyshuar lidhur me programet e trajnimit të financuara nga BE-ja për diplomatët e rinj. Tre të dyshuar janë arrestuar, ka bërë të ditur vetë Prokuroria Evropiane në një njoftim zyrtar. Sipas mediave belge, ndër ta është edhe rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Kjo e fundit është rektore edhe në degën e Kolegjit të Europës në Tiranë.

Me kërkesë të EPPO-s, e cila është miratuar nga gjyqtari hetues, Policia Federale (FGP Ëest-Vlaanderen) ka kryer kontrolle në disa godina të Kolegjit të Evropës në Bryzh, pranë Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm në Bruksel si edhe në banesat e të dyshuarve. Aktivitetet hetimore janë mbështetur gjithashtu nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), thuhet në njoftim.

Në qendër të çështjes është projekti për Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian, një program trajnimi nëntëmujor për diplomatë të rinj nga vendet anëtare, i cili iu dha Kolegjit të Evropës nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm gjatë periudhës 2021-2022, pas një procedure tenderimi. Hetimi synon të përcaktojë nëse Kolegji i Evropës ose përfaqësues të tij janë informuar paraprakisht për kriteret e përzgjedhjes në tender dhe nëse kanë pasur arsye të mjaftueshme të besonin se do të fitonin kontratën para publikimit zyrtar të njoftimit nga SEAE.

“Ekzistojnë dyshime të forta se, gjatë procedurës së tenderimit për programin, është shkelur neni 169 i Rregullores Financiare që lidhet me konkurrencën e ndershme dhe se informacione konfidenciale lidhur me tenderin në zhvillim janë ndarë me një nga kandidatët pjesëmarrës në garë”, shkruan EPPO.

Para kryerjes së kontrolleve, Prokuroria Evropiane ka kërkuar heqjen e imunitetit për disa nga personat nën hetim, kërkesë e cila është pranuar. Faktet që po hetohen janë raportuar fillimisht në OLAF. Ato mund të përbëjnë mashtrim në procedurat e prokurimit, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Hetimi është ende në zhvillim për të sqaruar rrethanat dhe për të vlerësuar nëse ka elementë të veprave penale.

“Një tjetër ditë, një tjetër skandal tronditës i BE-së. Policia belge që ndërhyn në agim në SEAE dhe në Kolegjin e Evropës? Dokumente të sekuestruara, arrestime të kryera, korrupsion dhe mashtrim në prokurime mbi tavolinë”, ka shkruar në X zëdhënësi i qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs. “Shkolla prestigjioze e BE-së për ‘përsosjen’ e burokratëve eurokratë tashmë nën hetim për akses të privilegjuar në tenderë? Kjo nuk mund të sajohet. Ironike se si Brukseli u mban leksione të gjithëve për ‘respektimin e shtetit të së drejtës’, ndërsa vetë institucionet e tij duken më shumë si një serial policor sesa një bashkim funksional.”

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›