E Diel, 1 Nëntor 2026

Bello, në tre vjet qeveria nuk realizoi asnjë premtim

Tiranë- Asnjë realizim për premtimet e dhëna. Vetëm demagogji, mashtrime dhe varfëri që rritet përditë. Në këto fjali e ka përmbledhur deputeti i PS-së, Marko Bello 3-vjetorin e ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike.

Sipas tij, i vetmi sukses që po i njihet tani Shqipërisë, është stabiliteti politik dhe bashkëpunimi midis forcave kryesore në parlament. Madje dhe ky sukses, sipas tij vjen për meritë të opozitës, e cila ka demonstruar pjekuri politike dhe ka dhënë prova se di të vërë interesat e vendit mbi ato partiake. Ndërsa konfliktet që kanë shpërthyer janë për shkak të arrogancës së mazhorancës, e cila herë konfliktohet me Presidentin, herë me Prokurorinë dhe herë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

“Partia Demokratike dhe kasnecët e saj e kaluan në heshtje 3-vjetorin e ardhjes së tyre në pushtet, pasi tashmë edhe ata janë ndërgjegjësuar se këto kanë qenë 3 vite të premtimeve të pambajtura, 3 vite demagogjie dhe mashtrimi, 3 vite varfërie dhe zhgënjimi për pjesën dërrmuese të shqiptarëve dhe më në fund, ato shënojnë fillimin e fundit të pushtetit të Sali Berishës, i cili ka bindur më në fund edhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se kjo qeveri nuk ka më karburant për të përmbushur detyrimet që vendi ynë ka në proceset integruese”- tha Bello, gjatë një deklarate për shtyp.

Ai ka deklaruar se kjo qeveri ka dështuar dhe ka renditur fushat e dështimit:

Lufta kundër korrupsionit, kali i betejës me të cilin Berisha erdhi në pushtet është sot treguesi më i qartë i dështimit spektakolar të një qeverie tërësisht të korruptuar. Korrupsioni ka kapur përfundimisht shtetin prej gryke dhe është shtrirë në të gjitha poret e shoqërisë.

Bello ka kujtuar përgjegjësin për Shqipërinë në Komisionin Europian, Dirk Lange, që ka kërkuar miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Krimin e Organizuar, si dhe zbatimin e Strategjisë kundër Korrupsionit.

Qeveria shqiptare, sipas tij, ka dështuar në mënyrë të turpshme në drejtim të luftës kundër trafiqeve të qenieve njerëzore. Dy institucione të rëndësishme ndërkombëtare sikurse Këshilli i Europës dhe vecanërisht Departamenti Amerikan i Shtetit në mënyrë krejt të pavarur nga njëri-tjetri kanë arritur në një konkluzion të përbashkët se trafiku i qenieve njerëzore brenda vendit është rritur.

Për herë të parë që nga viti 2002 Shqipëria zbriti një shkallë më poshtë në klasifikimin e Departamentit të Shtetit të SHBA, duke u radhitur mes vendeve që nuk plotësojnë as standartin më minimal të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Nga një vend tranzit, Shqipëria tani konsiderohet edhe si vend burimi për trafikimin e fëmijëve, grave dhe vajzave për qëllim përfitimi.

“BE, SHBA dhe vende të tjera të rëndësishme shprehen skeptike mbi mundësitë që kapitali nga vendet e tyre të investojë në Shqipëri”- tha ai, duke bërë me faj për këtë korrupsionin e administratës së mbushur me militantë.

Dhe së fundi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, brenda të gjitha normave dhe standarteve demokratike, janë një tjetër kusht që Qeveria dhe ministrat e saj që raportojnë në Bruksel bëjnë sikur e harrojnë dhe sikur nuk kanë asnjë lidhje me Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›