Berisha: Ata që bashkëpunuan me kundërshtarin nuk kanë vend në PD

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se individët që kanë bashkëpunuar me kundërshtarët politikë nuk kanë vend brenda PD-së.
“Partia Demokratike është një parti e mendimit të lirë, e hapur dhe e përkushtuar ndaj ripërtëritjes dhe zgjerimit të radhëve. Por, individë të caktuar, që për interesat e tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, nuk kanë vend në mënyrë absolute në PD. Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit. Të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës”, tha Berisha.
Kreu i PD theksoi rëndësinë e analizës së strukturave dhe anëtarësisë në prag të zgjedhjeve, për të identifikuar përgjegjësitë, përmirësimet dhe për të ripërtërirë forcat e partisë. “Do të bëjmë analizën për të verifikuar çdo anëtar dhe anëtare të PD, për të siguruar që lista dhe strukturat tona të jenë të përkushtuara ndaj misionit të partisë dhe fushatës elektorale”, tha ai.
Berisha shtoi se anëtarët që nuk angazhohen në proceset e partisë dhe nuk respektojnë disiplinën nuk mund të pretendojnë poste drejtuese. “Ky proces nuk ka qëllim përjashtimin e dikujt, por garantimin e integritetit dhe përgjegjshmërisë. Ata që nuk punuan në fushatë ose nuk kontribuan si duhet, nuk do të kenë privilegje drejtuese”, theksoi ai.
Kreu i PD e përfundoi fjalën duke nënvizuar rëndësinë e primareve dhe regjistrave të rregullt të anëtarësisë, që sipas tij, janë baza për demokracinë e brendshme dhe për ripërtëritjen e forcës së partisë.
/a.f/r.e/