E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk heqim dorë nga primaret, thelbësor regjistri i anëtarësisë

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se është i domosdoshëm krijimi i një panorame të qartë të anëtarësisë së PD, ndërsa shtoi se nuk do të hiqet dorë nga Primaret brenda partisë, pasi janë rruga për të dëgjuar anëtarësinë.

Në fjalën e tij, gjatë takimit me kryetarët e degëve dhe sekretarët, Berisha theksoi se primaret do të mbeten një instrument thelbësor i demokracisë së brendshme dhe nuk do të hiqen.

“Primaret janë rruga e vetme për të pyetur anëtarësinë tonë, që ajo të flasë me votë. Pa diskutim ka pasur probleme, por ato duhet të studiohen dhe të përmirësohen bashkërisht,” tha ai.

Berisha shtoi se është i gatshëm të analizojë dhe të korrigjojë problematikat e evidentuara, por nuk do të heqë dorë nga Primaret, pasi anëtarësia duhet të flasë. Ai nënvizoi rëndësinë e regjistrave të rregullt të anëtarësisë, që sipas tij mund të realizohen vetëm me angazhimin serioz të kryetarëve dhe sekretarëve të degëve.

“Listat janë atribut i kryesive të degëve. Hartimi, shpërndarja e dokumenteve dhe plotësimi i formularëve janë detyra thelbësore të kryetarëve dhe sekretarëve. Partia qendrore nuk ka asnjë punë me regjistrat e degëve”, tha Berisha.

Kreu i PD theksoi se partia duhet të ketë një panoramë të qartë të seksioneve dhe të shohë mundësi për zgjerimin e anëtarësisë. Ai nënvizoi rëndësinë e riorganizimit në çdo zonë dhe terren, duke u bazuar në ndryshimet e popullsisë dhe realitetin aktual të partisë.

“Jemi parti e madhe, por duhet të verifikohemi në çdo segment, në çdo zonë, në çdo terren. Ne zotërojmë terrenin kur e kemi të vërtetuar partinë dhe anëtarësinë tonë aty”, tha Berisha.

Ai gjithashtu shtoi se ndarja e dokumenteve dhe listat nuk kanë qëllim përjashtimin e askujt, por garantimin e transparencës dhe të drejtës për të votuar. Anëtarët që nuk respektojnë idealet e partisë dhe veprojnë kundër interesave të demokratëve nuk do të përjashtohen automatikisht, por nuk do të kenë privilegje.

“Partia Demokratike është parti e idealeve dhe jo e interesave të përziera. Detyra kryesore e çdo kryetari dhe sekretari është organizimi i degës dhe plotësimi i listave me seriozitet”, përfundoi Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›