Rama: Reforma zgjedhore dhe ajo territoriale do të bëhen, me ose pa opozitën

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, se puna për reformën zgjedhore dhe atë administrativo-territoriale duhet të vazhdojë pa vonesa dhe pa u penguar nga askush.
Duke folur për reformën zgjedhore, Rama u shpreh se asnjë lloj force nuk i imponon dot mazhorancës që me vetëdije të bëjë pengun.
“Me ata shumë mirë, pa ata po aq mirë. Rëndësi ka të bëhet puna. Asnjë lloj force nuk na imponon dot ne që me vetëdije të bëjmë pengun”, tha Kryeministri.
Ai kujtoi se reformat kanë nisur që kur ishte ende i ri, kur komisionet bipartizane mblidheshin dhe takoheshin tek zyra e OSBE-së.
Rama shtoi me ironi se, “përfaqësuesve të OSBE-së i mungonte vetëm veladoni i priftit dhe çallma e hoxhës për të pajtuar gjithë dynjanë”.
Kryeministri nënvizoi se pas çdo zgjedhjeje lind nevoja për një reformë të re, pasi gjithmonë ka një humbës dhe është gjithmonë po i njëjti.
“Sa herë mbarojnë zgjedhjet gjithmonë duhet një reformë, sepse pas zgjedhjeve ka një humbës. Humbësi është po ai, rezultati është keq e më keq. Kështu që, o burra të bëjmë një reformë tjetër”, tha Rama.
“Problemi është që kemi një reformë zgjedhore unikale në botën demokratike. Unë i sfidoj të gjithë të na tregojnë ku është kjo që qeveria ndalon së marruri frymë 4 muaj para zgjedhjeve, që të gjitha punët ndalojnë, që kontratat ndalojnë, çdo gjë ndalon”, u shpreh Rama, teksa shtoi se tashmë kërkesa e opozitës është 9 muaj.
“Prapë nuk i mjafton tani, e duan 9 muaj. Edhe 9 muaj po të bëhet nuk do lindi fitorja”, u shpreh ai.
Sa i përket reformës administrativo-territoriale, Kryeministri theksoi se vizioni dhe drejtimi janë shumë i qartë, më pak bashki sesa aktualet.
“Për reformën territoriale-administrative ne e kemi shumë të qartë vizionin dhe drejtimin, më pak, jo më shumë”, përfundoi Rama.
/gj.m/a.f/r.e/