Berisha: Demokratët zgjodhën të mbrojnë pluralizmin politik

TIRANË, 30 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin Kombëtar të PD-së, vlerësoi rrugëtimin pesëvjeçar të procesit të rithemelimit të partisë, duke e cilësuar atë si një maratonë të vështirë politike përballë sfidave dhe presioneve të shumta.
Berisha kujtoi Kuvendin Kombëtar të vitit 2021, ku sipas tij nisi procesi i rithemelimit të PD-së, duke theksuar se që në fillim ishte i vetëdijshëm për vështirësitë dhe përballjen me atë që ai e quajti “narkoshtet”. Ai u shpreh se kurrë nuk ka vënë asnjëherë në dyshim besimin tek demokratët dhe mbështetësit e partisë.
Sipas Berishës, tentativa për të dobësuar dhe kontrolluar Partinë Demokratike dështoi, pasi, siç u shpreh ai, kjo forcë politike mbështetet mbi vlera, ideale dhe parime demokratike.
“Kjo parti është për vlera. As nuk blihet, as nuk shitet. As nuk mposhtet kurrë. Ndaj dhe u ngritëm. U ngritëm në një kohë kur dukej se edhe tokën, edhe qiellin e kishim kundër nesh. Por u ngritëm në atë kohë se ishim të pathyeshëm në besimin tonë tek e vërteta. U ngritëm, na e imponuan, jo se deshëm, por midis të gjithave, ne zgjodhëm të mbrojmë të vërtetën”, tha ai.
Berisha theksoi se demokratët zgjodhën të mbrojnë të vërtetën dhe pluralizmin politik në Shqipëri.
“Ndaj dhe ju, uleni sot këtu krenarë, ju dhe çdo demokrat, krenarë sepse vini në këtë sallë dhe kudo që jeni, gardianë të pluralizmit politik në Shqipëri. Gardianë të sovranitetit të kombit shqiptar. Gardianë të pamposhtur të vlerave të lirisë, të dinjitetit njerëzor”, tha ai.
Berisha, tha se PD ka kaluar nga një periudhë izolimi të plotë në një mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Sipas Berishës, Partia Demokratike u përball me humbjen e simboleve, emrit, financimeve dhe me një izolim të përkohshëm nga arena ndërkombëtare. Megjithatë, ai theksoi se mbështetja e qytetarëve nuk u zbeh, duke kujtuar se rreth 500 mijë shqiptarë u rreshtuan në krah të PD-së, pavarësisht presioneve dhe vështirësive.
Berisha tha se qeveria përdori institucione shtetërore dhe drejtësinë kundër opozitës. Sipas tij rezistenca e demokratëve në protesta dhe aksione politike bëri që kauza e pluralizmit dhe e demokracisë të fitonte jehonë brenda dhe jashtë vendit.
Berisha nënvizoi se gjatë dy viteve të fundit PD ka rivendosur marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare të qendrës së djathtë dhe ka siguruar mbështetje përmes tetë rezolutave nga organizata të rëndësishme politike ndërkombëtare. Sipas tij, në këto dokumente janë denoncuar korrupsioni, përqendrimi i pushtetit dhe problematikat zgjedhore në Shqipëri.
“Nuk ka kauzë më të madhe, më të drejtë se kauza e pluralizmit për një komb. Një komb pa pluralizmin, sovranitetin e ka të rremë. Nuk ka sovranitet sepse i gjithë pushteti shkon tek diktatori, dhe diktatorët kanë vetëm një qëllim, lëkurën e tyre, pasurimin e tyre. Pra, ne ishim në të drejtën tonë. Përjetuam edhe një izolim të pashembullt. Miq të tjerë që nuk u pajtuan dhe PD me shpejtësi rivendosi lidhjet me organizatat ndërkombëtare që u përkiste. Në dy vite, nga forca më e izoluar e planetit ne u shndërruam në forcën politike më të mbështetur që ka pasur Shqipëria ndonjëherë.
“Tetë rezoluta nga organizatat më të mëdha politike ndërkombëtare. Partia Popullore, Bashkimi Ndërkombëtar i Demokraciasë, Ndërkombëtarja e Qendrës Demokratike. Në të gjitha këto rezoluta mbështetej fuqishëm beteja jonë për liri dhe dinjitet, për vlera, për mbrojtje të pluralizmit. Vlerësohej lart qëndrimi ynë. Denoncohej farsa zgjedhore e tij. Denoncohej korrupsioni i papërmbajtur dhe i çmendur i qeverisë së tij. Përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë”, tha Berisha.
Kuvendi Kombëtar i PD. Foto: Andrin Hoxha 1 nga 22/m.q/j.p/