E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Pasaporta evropiane e Shqipërisë, status barazie të plotë edhe me ligj për shqiptarët

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot takim me elektoratin socialist në Poliçan.

Në fjalën e tij Rama tha se, “në 11 maj nuk është thjesht fitorja jonë aritmetike që ka rëndësi, në 11 maj ka rëndësi që shqiptarët të bashkohen sa më shumë siç u bashkuan në marsin e vitit 1992 kur masivisht votuan Partinë Demokratike atëherë, jo se të gjithë ishin me PD-në, por sepse ishte koha e duhur, ishte vendi i duhur dhe ajo ishte e vetmja zgjedhje për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja”.

“11 maji është koha e duhur dhe vendi i duhur për t’i dhënë shtysën e fundit sa më të fuqishme anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, theksoi Rama.

Rama shtoi se, “kemi akoma një mision të papërfunduar që është misioni i shqiptarëve në breza për ta marrë këtë flamur kuqezi dhe për ta vendosur në oborrin e shtëpisë së familjes së bashkuar evropiane, sepse vetëm atëherë, vetëm kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së do të marrë fund përfundimisht çdo lloj diferencimi”.

Sepse sot, shtoi Rama, “jemi të huaj. Jemi evropianë, jemi në mes të Evropës, por jemi të huaj. Dhe vetëm anëtarësimi në BE, marrja e asaj pasaportës evropiane për çdo grua, burrë, vajzë, djalë na bën të barabartë, na bën pjesë të asaj familje dhe i bën të gjithë këta fëmijë sot evropianë të barabartë me gjithë bashkëmoshatarët e tyre. Dhe kur ata të shkojnë në shkollë, kur ata të shkojnë në universitet nuk do të trajtohen si studentë të huaj me tarifa 10 herë më të shtrenjta, por do jenë njësoj si të gjithë studentët e Evropës”.

Po ashtu, shtoi Rama, “ajo pasaporta evropiane u jep fund të gjitha problemeve, të gjitha halleve, të gjitha shqetësimeve për dokumente, për letra për leje qëndrimi, për leje pune, për pension, njohje pensioni të të gjithë shqiptarëve që janë jashtë kufijve”.

“Atyre në Greqi në radhë të parë, ajo pasaportë i çliron përfundimisht nga zinxhirët e burokracive dhe i bën qytetarë të barabartë me grekët në Greqi, si evropianë”, theksoi Rama.

“Me pasaportën evropiane shqiptarët e Greqisë, shqiptarët e Italisë, shqiptarët e gjithë Evropës fitojnë të drejtën edhe të zgjidhen anëtarë të këshillave të komunave, të bashkive. Me pasaportën shqiptare, s’kanë nevojë të kenë pasaportë greke, pasaportë italiane, sepse thotë Bashkimi Evropian – Republika e Shqipërisë. Fitojnë të drejtë të zgjidhen kryetarë bashkish dhe komunash, fitojnë të drejtën të vendosin kandidatë për në parlamentin evropian shqiptar dhe t’i çojnë atje. Dhe vetëm për një zgjedhje nuk u mjafton ajo pasaportë, për t’u zgjedhur deputetë e për t’u bërë ministra në vende të tjera, u duhet pasaporta e vendeve të tjera, normal”.

Rama theksoi se, ajo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi, është status.

“Sepse keni dëgjuar, janë disa që thonë: ç’na duhet ne pasaporta, ne jemi në Evropë. Gabim i madh shumë! Ajo pasaportë është status qytetarie, barazie të plotë, jo vetëm me zakon si evropianë, por edhe me ligj për shqiptarët, njësoj si për të tjerët”, tha Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›