Rama në Poliçan: Rikthejmë industrinë ushtarake, emigrantët po kthehen të investojnë

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin elektoral në Poliçan e vuri theksin te përmirësimi i infrastrukturës rrugore me ndërtimin e rrugës Berat – Poliçan – Skrapar, si dhe te vënia në punë e Kombinatit Mekanik, duke krijuar vende të reja pune.
Në fjalën e tij Rama tha se “në mandatin e katërt kemi përcaktuar si pjesë të planit tonë për infrastrukturën rrugën e re Berat – Poliçan – Skrapar. Kjo rrugë e re do të jetë një rrugë, e cila do ta ngushtojë shumë distancën, do të rrisë shumë shpejtësinë e lidhjes suaj jo vetëm Beratin, por edhe me Tiranën”.
“Ndërkohë në anën tjetër do të lidhë Skraparin me Përmetin dhe do të krijohet një unazë shumë e bukur që do të sjellë shumë më tepër investime dhe turizëm”, tha Rama.
Kreu i qeverisë foli edhe për krijimin e agroturizmit në këtë zonë, ku ftoi qytetarët të kthehen të investojnë.
“Agroturizmi këtu ka filluar të japë shenjat e veta domethënëse dhe po shikonim me kryetarin disa të dhëna, kanë filluar të kthehen njerëz që investojnë dhe do të kthehen ende më tepër. Edhe falë aksesit që do të krijohet përmes rrugës së re”, tha Rama.
Por, vijoi Rama, përtej investimeve që ne do të vazhdojmë dhe me punë të tjera.
“Kemi zgjedhur edhe çështjen sociale të 1500 njerëzve në Poliçan që ishin kontributorë të industrisë ushtarake. Jemi duke punuar edhe në kuadrin e rilindjes së industrisë ushtarake, edhe Kombinatin e Poliçanit e kemi pjesë të planeve tona. Jemi duke diskutuar me disa palë të interesuara dhe shpresoj e besoj që së shpejti do të kemi edhe rezultate nga këto diskutime, pasi duam që ta rihapim kombinatin në kushtet kur, siç e shihni, gjithë Europa është e mobilizuar për të krijuar më shumë pika prodhimi të industrisë ushtarake dhe ne e kemi filluar tanimë këtë proces”, tha Rama.
/k.s//r.e/a.f/