Rama: 71 mandate nuk i diskutojmë, në 16 maj Evropa zbret në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherazi edhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh sot se nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste nuk i diskuton 71 mandate, por duhet që shqiptarët të bëhen bashkë përtej dasive politike për t’i dhënë një mesazh të plotë Evropës, që shqiptarët duan të hyjnë në një shtëpi që është e tyrja.
Kryeministri tha se në zgjedhjet e 11 majit, duhet një mesazh përtej të majtës dhe të djathtës dhe përtej fuqisë numerike të PS-së.
“Shqipëria sot është drejt finishit. Siç shoh unë fundin e kësaj rruge, Shqipëria shikon derën e BE-së dhe prandaj në 11 maj duhet të na jepni fuqi që të bëjmë negociatat me BE-në dhe t’i mbyllim brenda 2027-s. Ne ishim “delja e zezë” kur e morëm Shqipërinë nga “këneta” dhe “bufi” që tregon përralla sot. Na dëgjonin me bezdi, se kështu e katandisi “bufi”. Përpara se ju të më jepnit mbështetjen që ta nxirrja “bufin” nga zyra, nuk vinte njeri të shkelte në Tiranë. Në 16 maj do vijë gjithë kontinenti evropian, nga kryeministri i Britanisë te Presidenti i Turqisë, nga ai i Suedisë te ai i Greqisë, të gjithë do zbresin në Tiranë, nën këmbët e kalit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi gjatë takimit elektoral me socialistët në Poliçan se në 11 maj duhen votat për negociatat, pasi janë 250 mijë faqe për të gjitha llojet e temave.
“Në 11 maj, atyre që vijnë në datë 16, shqiptarët duhet t’u japin një mesazh shumë të qartë përtej të majtës dhe të djathtës, përtej fuqisë numerike të PS-së, përtej 71 mandateve, se ne populli shqiptar pa dallim duam të hyjmë në atë shtëpi që është edhe e jona. Atë vend që e ka paraparë Heroi ynë Kombëtar, kanë luftuar rilindësit tanë që kur e lanë të shkruar: “Dielli ynë lind andej nga perëndon”, ata që dolën në ’90 dhe thanë: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Ky është momenti, fati na ka ardhur në dorë”, nënvizoi Rama.
Rama u ndal sërish te ballafaqimi me komentet se gjysmën e qeverisë e ka në burg, ndërsa cilësoi se ata që kanë probleme me drejtësinë kanë qenë ose në mandatin e parë, ose në të dytin. “Unë, sot do ndjehesha keq, sikur ju kisha tradhtuar nëse ju mora votën për të bërë reformën në drejtësi, kur ju thashë na duhet një Reformë në Drejtësi për ta çliruar drejtësinë nga pushteti politik dhe na duhet një drejtësi që shikon drejt dhe godet majtas dhe djathtas. Nëse sot, drejtësia do të kishte goditur vetëm kundërshtarë ose hiç fare, unë do ndihesha keq me ju. Unë sot jam shumë kryelartë, për faktin se ne në këto vite kemi bërë atë që nuk e ka bërë askush në historinë e shtetit shqiptar, që në 1912 kur lindi shteti shqiptar, shpata e ndëshkimit, e cila në çdo shtet normal me ligj ku ka barazi para ligjit, nuk i takon pushtetit politik, por drejtësisë iu mor shpata dhe iu vu te zyra e të parit të qeverisë”, vijoi ai.
“Qoftë mbret, diktator, apo palo president si “bufi i kënetës” kur burgosi kryetarin e opozitës, e kishin shpatën e drejtësisë në zyrë dhe e drejtonin nga zyra. Nga zyra ku jam sot u vranë njerëz, protestues të pafajshëm dhe vrasësve nuk u ka hyrë akoma asnjë gjemb në këmbë. Drejtësia vonon, por nuk harron, ama më parë kjo mbetej një fjalë boshe, sot drejtësia e ka shpatën”, theksoi Rama.
Sipas Ramës, sot nuk është më Shqipëria e zhytur në kënetë nën këmbët e një bufi, por një Shqipëri që është në pragun e derës së BE-së. “Një Shqipëri që për herë të parë po synon barazinë para ligjit, një Shqipëri ku drejtësia nuk pyet se kush je dhe me kë je. Dhe për këtë unë jam shumë krenar dhe kur ata thonë shikoni se këta i kanë njerëzit në burg, unë u them shqiptarëve që jo! E vërteta është se ne kemi nxjerrë nga burgu drejtësinë. Dhe pse duhet që shqiptarët në 11 maj të votojnë vetëm numrin 5 dhe PS sepse nëse ne hyjmë në BE barazia para ligjit është e garantuar përgjithmonë. Në të kundërt, kjo do të mbetet si “Ëndrra e një nate vere” dhe gjërat do të kthehen mbrapsht”, pohoi Kryeministri.
/r.e//a.f/