Berisha: Fondi prej 1.5 miliardë eurosh për bashkitë është elektoral

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se fondi prej 1.5 miliardë eurosh i parashikuar për bashkitë ka qëllime elektorale, ndërsa pretendoi se programi i Rilindjes Urbane është shoqëruar me abuzime financiare.
Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha iu përgjigj pyetjeve mbi reformën territoriale dhe financimin e pushtetit vendor, duke deklaruar se fondi prej 1.5 miliardë eurosh është, sipas tij, i destinuar për zgjedhjet vendore.
“1.5 miliardë euro janë fondi që Edi Rama ka përcaktuar për zgjedhjet lokale. Është fond elektoral që do ta ndajë dhe ta vjedhë së bashku me bashkiakët e vet. Është një akt i shëmtuar në prag të fushatës elektorale”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së komentoi edhe programin e Rilindjes Urbane, duke pretenduar se gjatë fazës së parë të tij janë keqpërdorur fonde publike.
Sipas Berishës, investimet për 61 sheshe në qytete dhe qyteza të vendit kanë kushtuar shumë më tepër sesa vlera reale e tyre, ndërsa ai pretendoi se faza e re e programit do të shoqërohet me shpenzime të tjera të pajustifikuara.
“Me Rilindjen Urbane u vodhën 3.2 miliardë euro. Tani do të vidhen edhe të paktën 2 miliardë euro të tjera”, deklaroi Berisha.
/gj.m/ /a.g/