Berisha: Normalizimi i vlerës së euros, kusht themelor për normalizimin e turizmit

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim online me qytetarët, ka komentuar Samitin e NATO-s në Ankara, protestat e opozitës dhe çështje të tjera.
Berisha e cilësoi Samitin e NATO-s si një nga më të suksesshmit në historinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, duke vlerësuar rëndësinë e vendimeve të marra, ndërsa kritikoi mënyrën e përfaqësimit të Shqipërisë në këtë takim ndërkombëtar.
“Samiti i Ankarasë i NATO-s, në vlerësimin tim, është një nga samitet më të suksesshme në historinë e aleancës. Ishte një samit vërtet historik për arritjet transformuese për Aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk ka respektuar, sipas tij, standardet e protokollit ndërkombëtar, duke iu referuar paraqitjes së tij në samit me atlete sportive.
“Protokollet ndërkombëtare janë rregulla shekullore që demonstrojnë respekt dhe seriozitet për vendin që përfaqëson. Ato nuk janë vullnetarizma”, u shpreh Berisha.
Në vijim, kreu i PD-së u ndal te protesta e opozitës dhe qytetarëve, duke bërë thirrje për pjesëmarrje.
“Sot ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen në një protestë të fuqishme ndaj akteve të përsëritura të Edi Ramës dhe qeverisë së tij”, deklaroi ai.
Berisha komentoi edhe çështjen e një kabllogrami të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, lidhur me kërkesat për informacion mbi organizatat e ekstremit të majtë.
“Jam i bindur se ekstremizmi i majtë është një nga rreziqet më madhore të kohës. E kam theksuar edhe më parë këtë qëndrim”, tha Berisha.
Kreu i PD-së deklaroi gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët se një qeveri e drejtuar nga PD do të ndërmarrë masa për ndërprerjen e flukseve ilegale të parave, dekriminalizimin e Policisë së Shtetit dhe normalizimin e kursit të këmbimit të euros, të cilat, sipas tij, do të ndikonin në përmirësimin e ekonomisë dhe turizmit.
Ai tha se rënia e kursit të këmbimit lidhet me hyrjen në vend të parave nga aktivitete të paligjshme. “Kushti i të gjitha kushteve është vetëm një: ndërprerja e të gjitha flukseve ilegale të parave në Shqipëri duke kontrolluar me rigorozitet çdo investim”, u shpreh Berisha.
Ai tha se zhvlerësimi i euros ka dëmtuar eksportet, ka ulur vlerën e kursimeve të qytetarëve dhe ka krijuar vështirësi për ekonominë shqiptare.
Kreu i PD-së komentoi edhe situatën e turizmit, duke pretenduar se zhvlerësimi i euros ka ndikuar negativisht në konkurrueshmërinë e Shqipërisë si destinacion turistik.
“Normalizimi i vlerës së euros është kusht themelor për normalizimin e turizmit”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe kontrolli i flukseve të parave të paligjshme do të krijonin kushte më të favorshme për zhvillimin e sektorit të turizmit.
Berisha kundërshtoi gjithashtu shifrat e publikuara nga qeveria për turizmin, duke pretenduar se numri i netqëndrimeve të turistëve në Shqipëri mbetet më i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Në vijim, Berisha u ndal te Policia e Shtetit, për të cilën deklaroi se duhet t’i nënshtrohet një procesi dekriminalizimi.
“Mendoj se Policia e Shtetit duhet të dekriminalizohet. Piramida e Policisë së Shtetit është tmerrësisht e kriminalizuar”, tha ai, duke shtuar se ka besim te punonjësit e policisë, të cilët, sipas tij, janë të gatshëm të zbatojnë ligjin.
/gj.m/ /a.g/