E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim nga GJKKO, ekstradohet nga Italia pjesëtari i një grupi kriminal

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se në vijim të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit Sajmir Kolaveri, 44 vjeç.

Sipas policisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 25.09.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

Policia bëri me dije se nga hetimet dyshohet se më datë 05.08.2020, shtetasi S. K. ka bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit, për vrasjen e shtetasit K. Ll., dhe më pas për transportimin dhe varrosjen e kufomës, në fshatin Shpërdhet, Mamurras.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›