E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Merr fund falimentimi i fermave

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot në Vorë kandidatët e “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për Vorën dhe Kasharin.

Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se, fermerët e Vorës dhe të mbarë Shqipërisë përjetojnë një pushtim nga mallrat dhe prodhimet e vendeve të tjera.

“Jo se këta nuk janë punëtorë, jo se nuk kanë tokë të mirë, kanë çdo gjë. Por, Edi Rama hapi kufijtë për prodhimet e Shumadisë dhe të Banatës, jashtë çdolloj kriteri bëri që fermeri shqiptar të matet me atë që merr 5 gjer në 8 herë më shumë subvencione”, tha ai.

Pra, shtoi Berisha, “vuri garë të pabarabartë dhe krijoi pabarazi ekstreme. Falimenti njëri pas tjetrit të fermave në Vorë, Kashar, Domje, Bërxullë, Prezë dhe kudo. Kjo situatë merr fund. Ballkani i Hapur përfundon në kosh. Çdo fermeri i jap fjalën këtu se, do të 5-fishohet subvencioni për çdo fidan, për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti, dhe aspak me kriteret e deritanishme. Jo, jo. Për çdo njësi!”.

“Sikundër, në fshat nuk do ketë kurrë pension të pjesshëm, të plotë, apo të çfarëdolloji nën 200 euro”, tha kreu i PD.

“Ju jeni një bashki, ku kryetari juaj ka zgjedhur që taksat tuaja që paguani, taksat që paguajnë bizneset e vogla, të cilat nuk kanë taksë qeveritare qendrore, por kanë 10-fishuar taksat lokale, ju garantoj se, ato do të pjesëtohen me 8 ose 10. Nuk do mundet kurrë kryetari i bashkisë të vendosë më shumë se 1% të xhiros taksa për bizneset e vogla”, theksoi Berisha.

“Për bizneset tjera, tatim fitimi zbret në 10%. TVSH-ja në të tërësi zbret në 15%. Energjia do zbresë në 6 lekë nga 18 lekë që është për kWh. Për banorët, energjia nga 95 lekë zbret në 7 lekë”, tha Berisha.

Po ashtu, ai nënvizoi se, “nafta do ketë ulje, të paktën 40%. Nuk do mund të shitet në Shqipëri më nën plus minus çmimin e Kosovës dhe Maqedonisë”.

“Kosova, e merr nga Durrësi naftën dhe e shet 40% më lirë se sa Tirana. Ja ku është Durrësi, ja ku është Prishtina. Kjo sepse, Edi Rama, të dashur miq, 1.1 euro merr për çdo litër naftë. Nuk e bën kush në botë këtë. Kjo merr fund!”, tha Berisha.

“Ngarkesa fiskale mbi litrin e naftës, të cilin e paguani të gjithën ju, do të zbresë në nivelin fiskal që ka Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Pra, do të mbipërgjysmohet”, u shpreh Berisha.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›