E Martë, 3 Nëntor 2026

AUSTRI – 10 viktima pas të shtënave me armë në një shkollë, autori viktimë e bullizmit

GRAC, 10 qershor /ATSH-APA-ANSA-DPA/ – Një nxënës hapi zjarr në një shkollë në Grac duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave, raportoi sot media austriake, përfshirë faqen e internetit të gazetës së përditshme ”Heute”.

Sipas zëdhënësit të policisë Fritz Grundnig, autori i dyshuar u vetëvra.

Policia po i kërkon popullsisë të shmangë zonën përreth shkollës dhe të ndjekë udhëzimet e forcave të sigurisë.

“Situata është e sigurt. Nuk ka rrezik të mëtejshëm”, shkroi policia në platformën e mediave sociale X.

Policia tha se të shtënat ndodhën në një shkollë të mesme rreth orës 10:00 (08:00 GMT) dhe njësitë speciale reaguan shpejt në vendngjarje.

”Ndërtesa u evakuua, ndërsa nxënësit dhe mësuesit u shoqëruan në një vend të sigurt”, tha policia.

Agjencia austriake e lajmeve APA tha se ministri i Brendshëm, Gerhard Karner ishte duke shkuar në shkollën në qytetin e dytë më të madh të Austrisë.

Autori i të shtënave në shkollën austriake, ku vdiqën të paktën 10 persona, përfshirë vetë sulmuesin, e konsideronte veten viktimë të bullizmit, sipas medias austriake.

Sulmuesi ishte nxënës në këtë shkollë dhe pas sulmit kreu vetëvrasje në njërën nga banjat e institutit, sipas dëshmive fillestare.

Sulmuesi dyshohet se qëlloi në dy klasa./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›