E Hënë, 2 Nëntor 2026

Danimarka ndal fluturimin e dronëve civilë, vendimi vjen si masë sigurie para samitit të BE në Kopenhagen

“Ne do ta mbyllim hapësirën ajrore daneze për të gjitha fluturimet e dronëve civilë nga e hëna deri të premten”,  kështu njoftoi Ministria Daneze e Transportit, ndërsa në Kopenhagen më 1 tetor do të mblidhen krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së, i ndjekur nga një samit i Komunitetit Politik Evropian më 2 tetor.

“Kemi në fokus të veçantë sigurinë”,  thuhet në njoftimin e lëshuar nga ministria daneze. Kjo e fundit tha se vendimi u mor me qëllim lehtësimin e punës për garantimin e sigurisë nga ana e policisë.

Masa erdhi si pasojë e fluturimeve misterioze të dronëve mbi Danimarkë të shfaqura në ditët e fundit. Që nga 22 shtatori, shfaqja e dronëve të paidentifikuar në hapësirën ajrore të këtij vendi ka çuar në mbylljen e disa aeroporteve, por të shtunën u raportua prani dronësh edhe në bazat ushtarake.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i ka quajtur këto “sulme hibride”.  Deri më tani, nuk ka asnjë tregues se kush është përgjegjës për incidentet, ndërsa Rusia ka mohuar çdo përfshirje.

Ministrat e Mbrojtjes nga 10 vende të BE-së kanë rënë dakord të krijojnë një “mur me dronë” në përgjigje të pranisë së dronëve të tillë, ndërsa NATO-ja thotë se ka rritur vigjilencën në të gjithë Baltikun.

Ndalimi i fluturimeve do të mbetet në fuqi deri më 3 tetor dhe shkeljet mund të rezultojnë në gjobë ose burgim deri në dy vjet.

Danimarka aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›