Berisha: Nesër të gjithë me studentët, në mbështetje të revoltës së tyre - ATSH -
TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së nesërme në mbështetje të studentëve, duke e cilësuar suksesin e revoltës së tyre si një çështje me rëndësi për të ardhmen e vendit.
Në një konferencë sot për mediet, Berisha ftoi qytetarët e të gjitha moshave dhe bindjeve politike të marrin pjesë në protestë, duke theksuar se mbështetja për studentët duhet të jetë e gjerë.
“Suksesi i revoltës studentore është sukses i çdo qytetari shqiptar që e do këtë vend. Është sukses i shqiptarëve të të gjitha moshave dhe bindjeve që duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri”, deklaroi Berisha.
Ai vlerësoi qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e studentëve, duke u shprehur se ata meritojnë mbështetjen e qytetarëve.
“Thirrja ime është: të gjithë me studentët, të gjithë për studentët, për suksesin e revoltës së tyre”, tha kreu i PD-së.
I pyetur nëse protesta e nesërme do të zhvillohet sipas të njëjtit skenar si tubimet e mëparshme, me marshim drejt Kryeministrisë dhe më pas bashkim me studentët pranë Ministrisë së Arsimit, Berisha tha se do të ndiqet pak a shumë e njëjta mënyrë organizimi.
“Do të jetë pak a shumë ai skenar, megjithatë do të përcaktohet, por është gjithçka në mbështetje të studentëve. Është gjithçka në funksion të suksesit të tyre, të revoltës së tyre”, u shpreh Berisha.
/gj.m/r.e/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
