Berisha: OSBE-ODIHR e thanë fjalën, tani opozita duhet të ngrihet në protesta

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Partia Demokratike mblodhi sot grupin parlamentar. Gjatë mbledhjes, kreu i PD-së Sali Berisha u ndal te raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas Berishës, raporti “faktoi farsën elektorale” dhe se “këto zgjedhje nuk përputhen me standardet ndërkombëtare në parimin më themelor të barazisë”.
Sipas Berishës, asnjë raport tjetër nuk ka pasur përmasat e denoncimit të farsës si raporti i zgjedhjeve të 11 majit. “Janë rreshtuar argumente të pafundme të funksionimit të partisë-shtet, të përdorimit të të gjitha resurseve të qeverisë dhe shtetit për të grabitur zgjedhjet”, shtoi kreu i PD-së.
Berisha tha se opozita duhet të ngrihet në protesta të fuqishme.
“Vëzhguesit ndërkombëtarë, folën dhe e thanë fjalën e tyre. Është radha e shqiptarëve që të flasin dhe të thonë fjalën e tyre. Opozita shqiptare duhet të ngrihet në protesta më të fuqishme ndonjëherë që ka njohur historia e vendit nga vitet ’90, me qëllimin solemn dhe sublim, votën e lirë për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.
“Çdo njeri që aspiron votën e lirë, tashmë ka një bazë frymëzuese në ligjin ndërkombëtar, në vendimin ndërkombëtar që është raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. Ndaj dhe pavarësisht nga vonesa e tij, por ai dha verdiktin e vet, tani u takon shqiptarëve, na takon ne, i takon opozitës të japë verdiktin”, tha Berisha.
Berisha foli gjithashtu edhe për aeroportin e Vlorës që, sipas tij, është një gjobë e tmerrshme që u bëhet taksapaguesve shqiptarë.
“Aeroporti që kushton me çmimet më të fryra mbi tokë 105 milionë euro, taksapaguesit shqiptarë do paguajnë 140 milionë euro për 10 vitet e para. Dhe koncesionari për 30 vite fiton 700 milionë euro. Nuk mund të ketë një akt më korruptiv sesa ky”, tha Berisha.
/m.q/j.p/r.e/