E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Opozita në betejë pa kthim për qeveri teknike

Ish-kryeministri Berisha i është rikthyer sërish kërkesës për qeveri teknike. Në protestën e përditshme që organizohet poshtë banesës së ish-kryeministrit që ndodhet në “arrest shtëpiak”, Berisha ka theksuar se beteja e opozitës është betejë e pa kthim për të shkuar drejt një qeverie teknike dhe rotacionit.

Duke iu referuar proceseve zgjedhore, Berisha tha se qeveria i ka shndërruar zgjedhjet “në një proces formal, sepse me narkoshtetin tënd elektoral, me bandat e krimit, familjet e drogës dhe mafies, ti përcakton çdo rezultat kohë më parë se të zhvillohen zgjedhjet”

Për këtë arsye, Berisha theksoi se e vetmja zgjidhje është qeveria teknike dhe rotacioni.

“Zotimi ynë solemn, betejë, betejë pa kthim për qeveri teknike, zgjedhje të lira, rotacion pushteti, fitore të opozitës. A nuk është nxitje, a nuk është gjenocid për kushte të largimit nga Shqipëria, kur punët publike të qytetarëve më të varfër në Europë kushtojnë 5 herë, 10 herë më shtrenjtë se sa në vendet e BE, sepse ti i pangopur me ministrat, drejtorët e tu vjedh 70%, 80%, 90%, por edhe 100% fondet publike.

A nuk është nxitje për t’u larguar nga Shqipëria, ku nga 11 mld euro që lubi Balluku dhe ti keni investuar gjoja në rrugë, ekzistojnë të përfunduara gjithsej 21 km rrugë që përshkojnë Krujën dhe Thumanën. Tuneli më i kushtueshëm i planetit, tuneli i Llogarasë që kushton 65 mijë euro për banorë”

Çfarë ke bërë ti me to? Ndërton 1 km rrugë në fushë me 15 mln, por edhe 30 mln. Vjedh e vjedh dhe nuk ngopesh kurrë, varfërohen gjithnjë e më shumë, largohen nga Shqipëria. Jo, jo! Ne jemi të zotuar të vazhdojmë betejën tonë. Shpresa e fundit, shpresa që nuk vdes kurrë! Do ecim të sigurtë drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, rotacionit të pushtetit”, ka theksuar Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›